Site icon Telegrafi

Murati: Njerëz të fuqishëm kanë uzurpuar biznese të privatizuara nga diaspora

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka pranuar për herë të parë publikisht se ka biznese të privatizuara nga investitorë të diasporës por që po mbahen të uzurpuara nga njerëz të fuqishëm në Kosovë.

I përballur me pyetje konkrete lidhur me kafiterinë “Bab Club” në Prishtinë dhe ndërmarrjen “Ylli” në qendër të Mitrovicës, Murati në një intervistë për emisionin “Ekonomia me Erëzen” në KTV, ka thënë se nuk i janë paraqitur rastet konkrete por është në dijeni të faktit se prona të privatizuara nga bashkatdhetarët mbahen të uzurpuara.

“Mua personalisht këto raste nuk më janë adresuar. Por sidoqoftë ky është një problem të cilin e kemi si shoqëri dhe i cili fatkeqësisht shpërfaq një dobësi të sistemit tonë gjyqësor sepse shumica e këtyre rasteve janë në procese gjyqësore dhe kërkohet një angazhim dhe një efikasitet shumë i madh i sistemit gjyqësor. Realisht Ministria e Diasporës nuk mund t’i zgjidh këto probleme”, ka thënë Murati, raporton Koha.net.

Kafiteria “Bab Club”, që gjendet në qendër të Prishtinës, është e privatizuar nga Xhevat Sadriaj që operon në Zvicër por mbahet e uzurpuar nga Rrustem Rrukolli. Në anën tjetër edhe ndërmarrja “Ylli” në Mitrovicë është privatizuar nga një investitor nga Finlanda, Nexhat Kastrati, por mbahet e uzurpuar nga njerëz të afërt me politikën në Kosovë.

Murati gjatë intervistës ka folur për sukseset e ministrisë që drejton. Të tillë e ka konsideruar funksionimin e rrjetit të bizneseve të diasporës. Ka thënë se e konsideron të rëndësishëm funksionimin e këtij rrjeti.

Po ashtu si sukses e ka konsideruar edhe anëtarësimin e Ministrisë së Diasporës në Këshillit Ekonomik për Zhvillim Kombëtar.

“Për herë të parë Ministria e Diasporës është anëtare e Këshillit Ekonomik për Zhvillim Kombëtar. Po ashtu për herë të parë e udhëheqim një grup të punës. Këshilli ka katër grupe dhe një prej tyre është për tërheqjen e investimeve nga diaspora dhe udhëhiqet nga unë”, ka thënë Murati. /Telegrafi/

Exit mobile version