Site icon Telegrafi

Murati mohon se është zvogëluar numri i të punësuarve: Janë rreth 7 mijë më shumë se vitin e kaluar

Foto: Arkiv

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka demantuar mediat të cilat të dielën raportuan se numri i të papunëve në Kosovë është zvogëluar për 30 mijë në vitin 2023.

Ministri ka thënë se kjo informatë nuk është e saktë. Sipas tij, në muajin prill të këtij viti janë të deklaruar rreth 7 mijë punëtorë më shumë se sa në tre mujorin e parë të vitit paraprak.

“Autori ka bërë krahasim të vendeve të përgjithshme të punës në TM1 2022, me të punësuarit që kanë punë PRIMARE në prill 2023”, ka shkruar Murati në Facebook.

“Përndryshe, informata e saktë sipas raportit të fundit të ATK-së është se, për muajin prill 2023 janë të deklaruar 395,166 të punësuar, apo rreth 7 mijë më shumë sesa TM1 2022 – nëse duam t’i krahasojmë indikatorët ashtu si duhet”.

Në fund, ai ka thënë se “lajmet e rreme nuk kalojnë”.

Pas këtij reagimi të ministrit murati, ka reaguar KosovaPress e cila e ka publikuar e para lajmin në fjalë.

Më poshtë reagimi i plotë i agjencisë

Reagim ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Vetëm kur ministrit Murati nuk i pëlqen lajmi thotë se është “Fake news”.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress reagon ndaj tentimeve të ministrit të Financave, Hekuran Murati për ta quajtur si lajm të pa vërtetë, raportin e publikuar sot (e diel) nga ne me titull “Alarmante, zvogëlohet numri i të punësuarve në Kosovë me rreth 30 mijë në vitin 2023” , lajm ky i cili është bazuar në statistikat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës( ASK).

Për ne si KosovaPress, por edhe për të gjitha mediat në Kosovë dhe më gjerë, statistikat e ASK-së, janë burim informacioni zyrtar. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2022 kanë qenë të punësuar 388 mijë 531 persona, ndërsa, ky numër në prill të vitit 2023 ka rënë në 360 mijë e 446 qytetarë.

Megjithatë, nëse statistikat e ASK-së që është institucion nën ombrell të Zyrës së Kryeministrit, të cilat i kemi publikuar ne, nuk janë në përputhje me statistikat e Administratës Tatimore të Kosovës, siç pretendon ministri, atëherë është problemi i këtyre institucioneve që nuk koordinohen në mes vete.

Ndonëse duhet theksuar se në statistikat e ASK-së të publikuara, thuhet se burim kanë ATK-në.

Ne gjithashtu duam të shtojmë se KosovaPress, më 12 qershor ka dërguar email zyrtarë në Ministri të Financave, Punës dhe Transfereve për të kërkuar përgjigje lidhur me lajmin e publikuar sot, por kjo Ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Edhe të dhënat në Trustin Pensional, tregojnë mbi atë që ka tkurrje të punësimit.

Madje, në Trsutin Pensional të dhënat për rënien e punësimit janë edhe më të theksuara marrë parasysh TM4 2022 me TM1 2023.

Exit mobile version