Në tërë vendin, janë 7 mijë e 48 vende pune të shtuara në sektorin e prodhimit dhe përpunimit përgjatë qeverisjes së Kurtit, deri në fund të vitit 2022, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.
Sipas tij, kjo është dëshmia më e mirë se programi i Qeverisë Kurti për rikthim të ekonomisë drejt prodhimit po funksionon.
“Përmes Programit të Ringjalljes Ekonomike kemi mbështetur prodhuesit me shumë masa: Furnizim me energji elektrike të subvencionuar, disafish më lirë se rajoni; shtim të kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore, dhe mbulim të tarifave për garantimin e kredive; subvencionim të kredive investuese për zgjerim të kapaciteteve prodhuese; mbështetje në trajnimin e stafit, marketing e brendim, dhe pjesëmarrje në panaire brenda e jashtë vendit; grante për bashkëfinancim të pajisjeve; rritje e subvencioneve për produktet bujqësore; subvencion për punësimin e grave; subvencionim për punësimin e të rinjve”, ka shkruar Murati në Facebook.
Mes tjerash, ai ka thënë se ka edhe shumë veprime tjera mbështetëse siç janë lehtësimi i procedurave e barrës administrative përmes dixhitalizimit, apo edhe luftimi i kontrabandës e informalitetit.
“Gradualisht, por sigurt, drejt një ekonomie të qëndrueshme. Qeveria për prodhuesit!”, ka përfunduar Murati./Telegrafi/