Site icon Telegrafi

Murati: Marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë vetëm kur të ripërcaktohen kufijtë në mes të dy vendeve

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë vetëm kur të ripërcaktohen kufijtë në mes të dy vendeve.

Murati ka pohuar se ashtu si qeveritë e kaluara edhe kësaj qeverie fatin do t’ia përcaktojë dialogu me Serbinë, transmeton Telegrafi.

“Ashtu si edhe qeveritë e kaluara edhe kjo në raport me dialogun qëndrimet i kanë të njëjta, krejtësisht brenda kornizave të deritanishme të të menduarit dhe vepruarit. Edhe kryeministri aktual, si ata para atij, edhe pse foli kundër shkëmbimit të territorit, nuk tregoi se pse nuk duhet të ketë shkëmbim të territorit (asaj që realisht do të duhej t’i referoheshin si ripërcaktim të kufijve)”, ka shkruar ai në Facebook.

Murati ka thënë se Hoti nuk ka treguar se pse është e dëmshme që pjesa shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës t’i bashkohet Kosovës, dhe pjesa serbe e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut t’i bashkohet Serbisë.

“Nuk na tregoi pse nuk do të ishte mirë që pas një marrëveshjeje të tillë të binte Pako e Ahtisaarit që është pjesë e kushtetutës së Kosovës e që e bën shtetin tonë jofunksional dhe të varur nga pakica serbe, rrjedhimisht në rastin tonë nga Serbia”, ka shkruar ai në Facebook, përcjell Telegrafi.

Murati në fund të shkrimit ka pohuar se marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë vetëm kur të ripërcaktohen kufijtë mes dy vendeve.

“Për një gjë jam i sigurt: edhe mund të ketë një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë që nuk i prek kufijtë, por vizaton kufij e krijon asociacione të brendshme në Kosovë e që veç e dobësojnë Kosovën dhe e fuqizojnë ndikimin e Serbisë brenda saj.

Por marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë vetëm kur të ripërcaktohen kufijtë në mes të dy vendeve dhe dy popujve bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje në Kosovën Lindore dhe në veriun e Kosovës”./Telegrafi/

Exit mobile version