Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) është në procesin e përditësimit, dhe se grupet punuese janë duke punuar që deri në fund të këtij viti të jetë ligj i ri i cili do të marrë parasysh kërkesat, nevojat, përshtatjen me trendët, por gjithashtu edhe mbështetjen për bizneset dhe prodhuesit vendor.
Në konferencën e përbashkët për media me drejtorin e Doganës së Kosovës, në të cilën u prezantuan lehtësirat e krijuara për bizneset, Murati tha se për të mbështetur edhe prodhuesit vendor në tetorin e vitit të kaluar kanë miratuar edhe lirimin nga taksa doganore për disa prej lëndëve e gjithashtu edhe për pjesët rezervë të makinerive prodhuese ashtu që ta kenë më të lehtë të shtojnë vlerë në vendin tonë.
Mes tjerash, Murati tha se gjatë vitit të kaluar Dogana e Kosovës ka iniciuar mbi 1800 kundërvajtjeje dhe 83 kallëzime penale përmes të cilave është synuar mbrojtja tregtarëve në mënyrë që të respektohet rendi dhe ligji.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu tha se arritjet në këtë institucion do të ishin të pamundura pa partnerët e sektorit privat.
Lluagaliu derisa përmendi rritjen e të hyrave, ka theksuar se ka rritje të eksportit në sasi, ndonëse ka rënie në vlerë, për çfarë ka përmendur edhe faktorët që kanë ndikuar.
“Sa i përket eksportit të vitit të kaluar kemi vërejtur që kemi pas rritje në sasi për tre për qind, ndërsa në vlera vërehet që ka rënie, mirëpo kjo i atribuohet rënies së vlerave të produkteve në eksport, si dhe për shkak tregjet globale kanë qenë të ndryshueshme gjatë viteve që lamë pas. Kemi pasur disa rënie dhe kërkesa të tregut ndërkombëtar që nuk janë trende të zakonshme.
Tek rryma si kërkesë që ka qenë eksport në vitin 2022, kemi rënie prej 45 milionë kur e krahasojmë me vitin 2023, në vitin 2022 ka qenë kërkesë e madhe për energjinë dhe çmimet kanë qenë të larta. Ngjashëm është tek një pjesë e mobilierisë, tek dyshekët. Përndryshe të gjitha industritë tjera shohim qe e kanë zgjeruar gamën e eksporteve dhe sasinë. Sa i përket lehtësirave kemi pas një qasje për të adresuar në gamë të përgjithshme, kemi punuar më shumë sa i përket menaxhimit të riskut si dhe avancimit të sistemit, por edhe në llogaridhënie”, tha Llugaliu.
Në fund ai tha se nga kjo pasqyrë vërehet se vit për vit, numri i dërgesave në tregtinë e jashtme rritet me 10 për qind përderisa kapacitetet pothuajse mbesin të njëjta, për çfarë tha se është e domosdoshme që të ngritin nivelin e efikasitetin për të siguruar që numri i dërgesave procedohet brenda kohës. /kp/