Telegrafi

Murati: Kapitali i diasporës mund të shfrytëzohet për investime dhe projekte zhvillimore

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një intervistë për emisionin “7 Ditë me Panxhën” ka thënë që kapitali i diasporës mund të shfrytëzohet edhe për investime por edhe për projekte zhvillimore. E kjo sipas Muratit, mund të arrihet përmes Bonove të Diasporës, ide kjo e dalë nga Plani për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Synim jonë është që përmes krijimit të këtij instrumenti, do të thotë të kësaj mundësie për të kanalizuar apo për të orientuar kapitalin e diasporës.” u shpreh Murati.

Sipas të parit të Ministrisë së Financave, përmes investimeve në Bonot e Diasporës do të mundësohen dy gjëra:

“Nën 1 të mundësohet që kapitali të investohet në projekte zhvillimore dhe jo vetëm në konsum që rrit deficitin tregtar. Nën 2 që mërgata jonë edhe të ketë përfitime nga ky investim. Pra të mos trajtohet vetëm si një obligim që ata e kanë për t’i mbështet familjarët këtu, pa prit ndonjë kthim ose për ta mbështet shtetin siç ka ndodhë edhe në të kaluarën, edhe gjatë luftës edhe para luftës në sistemin paralel, ku kanë mbështet vendin pa llogaritë në ndonjë kthim.”

Tutje Murati u shpreh se kësaj radhe mërgimtarët kanë mundësinë të kenë edhe kthim nga investimi në formë të interesit që paguajnë Bonot e Thesarit dhe në anën tjetër të investojnë në një instrument që është i sigurt, për shkak se është i garantuar prej Republikës së Kosovë.

Hekuran Murati në emisionin “7 Ditë me Panxhën” deklaroi po ashtu se është optimist se do të ketë interesim nga diaspora për këtë investim.

“Deri me 18 gusht besoj dhe jam optimist që do të arrijmë ta përmbushim shumën nominale që ka qenë e shpallur prej 20 milion euro.”

Bonot e Diasporës janë letra me vlerë të garantuara nga shteti dhe kanë për qëllim të orientimit të fondeve të diasporës në financime produktive që mundësojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Shuma minimale për blerje të Bonove është 10,000 euro, kurse shuma maksimale është 500,000 euro./Telegrafi/