Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati ka thënë se Sllovakia nuk mund të ketë qëndrim rreth kufijve të Kosovës, për deri sa nuk e njeh si shtet.
Përmes një postimi në Facebook, Murati ka theksuar se është absurde sesi kryeministri Ramush Haradinaj e falënderon ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë për qëndrimin e tyre kundër shkëmbimit të territoreve.
Postimi i plotë:
Sllovakia nuk mund të ketë qëndrim rreth kufijve të Kosovës pa e njohur atë si shtet
Sllovakia zyrtarisht nuk e njeh Republikën e Kosovës, rrjedhimisht e konsideron se është pjesë e Serbisë. Në anën tjetër kryeministri ynë e falënderon ministrin e punëve të jashtme të Sllovakisë për qëndrimin e tyre kundër shkëmbimit të territoreve! Situatë goxha absurde kjo! Sllovakia njëherë duhet të njoh Kosovën në këta kufij, për të pasur pastaj qëndrim pro ose kundër shkëmbimit të territoreve, ripërcaktimit apo korrigjimit të kufijve. Çdo gjë qëndrim tjetër, nënkupton se Sllovakia është kundër shkëmbimit të territoreve sepse tërë Kosovën e konsideron brenda kufijve të Serbisë. /Telegrafi/