Ministri i Financave, Hekuran Murati një ditë më parë ka folur lidhur me deklaratat e fundit për dyfishim ose trefishim të tatimit për pronat komerciale.
Murati theksoi se të gjitha këto janë dezinformata në prag të zgjedhjeve dhe sipas tij vitin e kaluar kur është ndryshuar ligji i vetmi kontestim nga komunat ka qenë falja e borxheve prej 100 euro.
“Tatimi në pronën e paluajtshme mblidhet nga komunat dhe shkon te buxheti i komunave, nuk është e hyrë që i vjen qeverisë qendrore ose që Ministria e Financave mund të menaxhoj… Ligji është ndryshuar në vitin e kaluar dhe kur është kontestuar nga komunat, pjesa e vetme që është kontestuar ka qenë vetëm pjesa e faljes së 100 eurove…
Asnjë komunë, asnjë reagim nuk ka pasur tjetër për çështjen e shkallës progresive tatimore”, u shpreh ministri.
Sipas tij, tani pak para zgjedhjeve ka valë dezinformatash sepse siç tha ai deklaratat se parashihet dyfishim ose trefishim të tatimit në pronë janë të pavërteta, të pasakta.
“Shkalla progresive tatimore nënkupton që ata që kanë prona në vlerë më të vogël do të paguajnë më pak në fakt. Dikush me shtëpi apo pronë rezidenciale banim primar deri në vlerë 275 mijë euro do të paguajë më pak, se me shkallën e vjetër tatimore. Ndërkaq, mbi 275 mijë euro fillon rritja progresive për tatim në pronë”, tha tutje Murati.
Sipas tij, duhet të pajtohemi si shoqëri që kush ka pronë 120 milionë euro edhe i takon të paguajnë një barrë më të lartë tatimore se dikush që të vetmen pronë e ka shtëpinë që banon.
Ministri i Financave tha tutje se në komunën e Prishtinës ka pasur ndërtues apo investitorë që tërë ndërtesën e ka pasur të paregjistruar në vlerë 20 milionë euro dhe është dashur ta regjistrojë dhe të paguajë tatim.
“Marrë parasysh që ka nevojë për finalizim të sistemit dhe njoftim më të gjerë të publikut dhe që mund të ketë vetë ndryshim të mendjes nga vet komunat, se vet ato nuk kanë reaguar kur është proceduar ligji prandaj e kemi i konsideruar që marr parasysh nevojën që të mos hyjmë në vitin fiskal të ri duke mos e pas sistemin funksional dhe të sigurt dhe pastaj të vonohet shpërndarja e faturave të tatimit në pronë përmes Ligjit të Buxhetit të shtyjmë afatin e zbatimit të hyrjes në fuqi të tatimit progresiv dhe të bëhet në vitin tatimor 2026”, u shpreh ministri. /Telegrafi/