Telegrafi

​Murati akuzon LDK-në: Sa herë është në pyetje interesi i qytetarëve, ju çoheni me mbrojtë Kushtetutën

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës.

Pas kritikave të deputetëve të LDK-së për shkelje të Kushtetutës nga ana e Qeverisë, duke iu referuar edhe rrëzimit të Ligjit për çmimet tavan, ministri Murati tha se Kushtetuesja po i bën favore opozitës.

Ai tha se sa herë është në pyetje interesi i qytetarëve, deputetët opozitarë “çohen me mbrojt Kushtetutën”, ndërsa sipas tij kur bëhet fjalë për t’i mbrojtur interesat partikulare të bizneseve të caktuara “nuk përtojnë t’i akomodojnë kërkesat e tyre”.

Lexo po ashtu Kushtetuesja e rrëzoi Ligjin për çmimet tavan, Hajdari: Manipulimet me çmime po vazhdojnë

“Sa herë është në pyetje interesi i qytetarëve çuditërisht ju çoheni me mbrojt kushtetutën. Sa herë bëhet fjala me i mbrojt interesat partikulare të bizneseve të caktuara aty nuk printoni hiq. Bëni edhe amendamente ligjore, shtini nene në buxhet për me i mbështet bizneset. Ju lutem në këtë temë nuk keni çka të thoni sepse edhe qytetari e ka pa”, u shpreh Murati.

Në reagimin ndaj tij, deputetja Bajrami i kërkoi ministrit dëshmi konkrete se kur ka qenë në pushtet LDK-ja kur i kanë favorizuar biznese të caktuara.

“Ministër, kursehu nga akuzat e pabaza. Kam qenë ministre në tri ministri, trego kujt i kam bërë favor. Pasi me dhjetëra lëndë keni dërgu në prokurori, kujt, cilit biznes i kam bërë favor. Tri vjet në Ministri të Tregtisë kam pas luftë më Shoqatën e Naftëtarëve, e kam çua kontrollin e naftës në dogana. Ndërkaq, po i njëjti, ish anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së në kohën sa kam qenë ministre, që më luftonte mua i ka përkrah të gjitha iniciativat e ministres sot”, theksoi ajo.

Megjithatë, ministri Murati renditi ato që sipas tij LDK-ja iu ka bërë favore bizneseve. Ai përmendi ndarjen e 60 milionë eurove që përfituesit kryesor kanë qenë supermarketet, lirimin e rrymës për kompaninë Feronikeli dhe kontratën për monopol për shënjimin e naftës.

“Gjashtëdhjetë milionë euro që janë dhënë në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike përfituesit kryesor kanë qenë supermarketet, të cilat kanë pas përfitim rekord. Favori i dytë, sa keni qenë ju në qeveri, rrymën ia keni bërë më lirë Feroniklit, favori i tretë keni nënshkru kontratë për monopol për shënjimin e naftës. Edhe ky rast është në prokurori por s’ka ndodh asgjë”, theksoi Murati.