Site icon Telegrafi

Murali i Banksyt, në ndërtesën e granatuar nga Rusia në Ukrainë

Artisti i njohur i grafiteve, Banksy, ka zbuluar veprën e tij të fundit, të realizuar në një ndërtesë të shkatërruar nga granatimet ruse në Ukrainë, raporton BBC, transmeton Telegrafi.

Banksy postoi një foto në Instagram, të kësaj vepre: një gjimnaste duke qëndruar në duar, mbi rrënojat në Borodianka.

Muralet brenda dhe rreth kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, nxitën spekulimet se artisti anonim po punon në vendin e shkatërruar nga lufta.

Në një vepër tjetër, që ende nuk është pranuar zyrtarisht, përshkruhet një burrë që i ngjan Vladimir Putinit, duke u mundur në xhudo nga një fëmijë.

Artisti i grafiteve postoi tri imazhe të muralit të gjimnastes, në rrënojat e lëna nga granatimet ruse, me mbishkrim që thjesht thoshte: “Borodianka, Ukrainë”.

Borodianka ishte një nga vendet më të goditura nga bombardimet ruse në Ukrainë, menjëherë pas pushtimit të 24 shkurtit.

Ushtarët rusë pushtuan qytetin – i vendosur rreth 30 milje (48 kilometra) në veriperëndim të kryeqytetit të Ukrainës, Kievit – për javë të tëra në fazën fillestare të luftës, përpara se të çlirohej përfundimisht, në prill, nga Ukraina.

Vepra e dytë në Borodianka, që nuk është konfirmuar se është nga Banksy, përshkruan një burrë që i ngjan Vladimir Putinit, duke u rrokullisur gjatë një ndeshjeje të xhudos me një djalë të ri. Presidenti rus ka rrip të zi xhudo dhe është admirues i njohur i këtij arti marcial.

Pasi qyteti është rimarrë, redaktori ndërkombëtar i BBC News, Jeremy Bowen – korrespondent veteran i luftës – tha se shkatërrimi i kryer nga granatimet ruse në Borodinaka, ishte më i keqi që kishte parë në Ukrainë në atë kohë.

Disa dëshmitarë thanë se trupat ruse ndaluan përpjekjet për të nxjerrë të mbijetuarit nga ndërtesat e shkatërruara, duke kërcënuar me armë njerëzit që donin ta bënin këtë.

BBC News ka dëgjuar gjithashtu historinë e një oficeri të policisë lokale që humbi gjashtë anëtarë të familjes – nënën, babanë, vëllain, gjyshen, gruan dhe vajzën njëvjeçare – në një sulm të vetëm rus.

Vepra e tretë e artit, që duket se është pikturuar nga Banksy, tregon një gjimnaste ritmike, që mban zinxhirët në qafë, duke performuar me fjongo në majë të një vrime të hapur në njërën anë të një ndërtese në Irpin.

Qyteti që është në periferi të Kievit, ishte vendi i një masakre famëkeqe të qindra civilëve të vrarë nga trupat pushtuese ruse.

Banksy është një nga artistët më të famshëm në botë – ndërkohë që mbetet plotësisht anonim.

U bë i famshëm me në Bristol në fillim të viteve 1990. Por, me kalimin e viteve, shembujt e punës së tij janë shfaqur në Paris, Nju-Jork dhe Park Siti, në Juta

Shpeshherë i përshkruar si “i pakapshëm” dhe “i fshehtë” nga shtypi, “artisti gueril i rrugës” ka një legjion adhuruesish që përfshin edhe të famshëm të listës A. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version