E tërë kjo ka ndodhur në orët e vona të së premtes kur në pjesën veriore të Mitrovicës dy grupe të rinjsh serbë i kanë qëruar hesapet mes vete me shkopinj druri.
Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it nuk kanë “guxuar’”të ndërhyjnë në këtë rrahje masive apo të arrestojnë dikë derisa aty kanë ardhur pjesëtarët e MUP-it të Serbisë me tri makina, duke e qetësuar situatën, shkruan Koha Ditore.
MUP-i i ka arrestuar katër prej tyre, të cilët i kanë dërguar në bazën e policisë së Serbisë, e cila gjendet në ndërtesën e zjarrfikësve në veri të Mitrovicës.
Në anën tjetër Policia e Kosovës ka konfirmuar për gazetën se ka ndodhur një rrahje masive në mes të dy grupeve serbe në veri të Mitrovicës, por ka mohuar të ketë të arrestuar.
Sipas burimeve të gazetës, në vendin e ngjarjes kanë ardhur tri automjete të policisë së Serbisë, “një automjet “Mercedes” me ngjyrë të zezë dhe me targa të reja serbe KM- 002 SZ, pastaj xhipi BMË X5 me ngjyrë të bardhë, si dhe një xhip “Hyundai” ngjyrë e zezë, këto të fundit pa targa”. /Telegrafi/