Në një intervistë për B92, Munter ka thënë se, SHBA-ja përkrahë bisedimet direkte në mes të Prishtinës dhe Beogradit, që fillojnë nesër në New York. Sipas tij, do të ishte zgjidhja më e mirë, nëse palët do të gjenin zgjidhjen për statusin e Kosovës.
Megjithatë, ai ka përsëritur qëndrimin e shtetit të tij se, në rast të dështimit të bisedimeve, pavarësia është zgjidhja më e mirë, mu siç është shprehur edhe sekretarja e shtetit Condoleezza Rice në New York.
Në këtë intervistë Munter ka shpjeguar politikën amerikane karshi Kosovës, e cila njëkohësisht përkrahë edhe bisedimet edhe pavarësinë si zgjidhjen përfundimtare.
"Ne i mbështesim bisedimet dhe u bëjmë thirrje palëve që të përpiqen të arrijnë marrëveshje. Marrëveshja në mes të palëve, është diçka për të cilën kemi nevojë, dhe ne përkrahim fuqishëm këtë proces. Nëse këto bisedime nuk japin rezultat, qëndrimi ynë është ai i dikurshmi – mendojmë se pavarësia është mënyra më e mirë që të ruhet stabiliteti në rajon, sipas propozimit të Martti Ahtisaarit”, ka thënë ai.