Telegrafi

Munishi i kënaqur me fitore dhe me repartin ofensivë të Prishtinës

Prishtina është rikthyer te fitoret pas tre ndeshjeve, teksa ka mposhtur Ferizajn me rezultat 2-1.

Kjo ishte fitorja e parë për kryeqytetasit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ nga katër ndeshje të zhvilluara deri më tani.

Të besuarit e Ismet Munishit fiton falë dy golave nga sulmuesi Leotrim Kryeziu.

Trajneri Ismet Munishi ka thënë pas ndeshjes se ka mbetur i kënaqur me fitoren, por edhe me repartin ofensivë të skuadrës së tij.

“Me pjesën e sulmit kam qenë shumë i kënaqur sot. Në fakt, ne edhe në disa ndeshje tjera kemi luajtur shumë mirë në pjesën ofensive, kemi qenë të rrezikshëm, por nuk kemi shënuar”.

“Sot bëmë një ndeshje të madhe. Megjithatë, nuk duhet të marrim gola të tillë. Duhet t’i shmangim disa gabime”, ka deklaruar Munishi pas ndeshjes.

Pas kësaj fitore Prishtina zë vendin e tretë në tabelë me 15 pikë, 12 më pak se lideri Drita, por që kryeqytetasit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. /Telegrafi/