Telegrafi

Munishi i kënaqur me angazhimin dhe barazimin, thotë se Prishtina e ka të sigurt Evropën

Prishtina ka arritur të dal e pamposhtur nga udhëtimi në Suharekë, që ishte ndeshja e fundit e sezonit vjeshtor.

Derbi kosovar u mbyll në barazim 1-1, me Edvin Kuc që shënoi për vendasit dhe Kreshnik Ukën që barazoi për mysafirët.

Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi ka mbetur i kënaqur me lojën dhe angazhimin e futbollistëve të tij, por edhe me rezultatin përfundimtar.

“Realisht i dimë kualitetin e Ballkanit, por ne jemi Prishtina dhe çdo ndeshje shkojmë për fitore. Jam shumë i kënaqur me luftën me angazhimin.

“Golin e morëm prej një pakujdesie, por reaguam mirë dhe jam i kënaqur me barazimin”.

“Nëse do të shënonim më herët do të shkonte ndryshe ndeshja, por Ballkani edhe me 10 futbollistë u treguan të rrezikshëm. Sidoqoftë Intelektualët dhe Drita kanë bërë tifo për mua sot”, tha Munishi duke qeshur.

“Ishte një ndeshje e mirë edhe për tifozët, një derbi i vërtetë dhe jam i kënaqur”, vazhdoi tutje Munishi.

Tutje Munishi foli edhe për pozitën e tretë, duke thënë se Prishtina do të dalë sigurt në Evropë.

“Vendi i tretë është një arritje e mirë, pasi kemi ndërruar shumë futbollistë jemi riorganizu. Duhet të shikojmë ndonjë futbollistë cilësorë për ta rritur konferencën dhe besoj se Prishtina vitin tjetër 100 për qind do të jetë në Evropë, vetëm varet se në cilën derë të Evropës do të futet”, deklaroi Prishtina.

Prishtina e mbyll sezonin vjeshtor në vendin e tretë në tabelë me 27 pikë, 11 më pak se lideri Drita dhe Ballkani. /Telegrafi/