E diela do të jetë vendimtare në ‘luftë’ për titull, pasi që takohen dy skuadrat më të forta në këtë kampionat, Llamkos Kosova dhe Prishtina, pozita e parë dhe e dytë. Për këtë ndeshje flasin protagonistët kryesorë, Ismet Munishi, trajner i Llamkos Kosovës dhe Afrim Tovërlani, trajner i Prishtinës. Si e shohim këta dy strategë këtë ndeshje? A do ta vendosë titullin e kampionit? Kush mund ta përcaktojë sfidën? Sa do të jetë rezultati? Të gjitha këto pyetje për këtë super ndeshje mund t’i lexoni në një intervistë të ‘Sport Plus’ të bërë me dy trajnerët.
Si e vlerësoni ndeshjen e së dielës?
Ismet Munishi: Si gjithmonë është ndeshje derbi. Por, kësaj radhe kanë ndryshuar favoritët, pasi që favoritë absolut jemi ne. Nëse kjo ndeshje do të ishte në bastore, ne do të kishim kuotën 1.30, ndërsa Prishtina do ta kishte 5.00.
Afrim Tovërlani: E vlerësoj të rëndësishme, që mund ta definojë deri diku kampionatin si në ‘luftë’ për titull, po ashtu edhe në ‘luftë’ për mbijetesë. Nëse behet bëhet shkëputja, atëherë do të fillojnë pazaret në futbollin e Kosovës siç ka ndodhur gjithmonë.
A është kjo përcaktuese për titull?
Ismet Munishi: Normalisht që mund të jetë përcaktuese, por për Prishtinën, pasi që Prishtina e ka ‘trenin e fundit’ me ndjek titullin, ndërsa për ne është ndeshje e radhës.
Afrim Tovërlani: Mund të jetë shumë përcaktuese.
Cilat janë raportet e tua me Afrim Tovërlanin – Ismet Munishin?
Ismet Munishi: Me Afrimin kemi qenë shumë miq, por pasi që tashme jemi në skuadra të ndryshme, kjo ka ndryshuar paksa. Afrimi është dhe mbetet një mik i imi i mirë dhe është një nga trajnerët më të mirë në Kosovë.
Afrim Tovërlani: Si gjithmonë të mira edhe pse kohëve të fundit e kam takuar më pak. Për mua nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk kam thanë kurrë që ai është i fortë ose i dobët. Ai për mua mbetet Ismeti që ka qenë. Ismeti më njeh më mirë se të gjithë gazetarët dhe e dinë mirë se kush është ‘Toki’.
Sa i përket ndeshjes, cilat janë synimet?
Ismet Munishi: Si në çdo ndeshje, ne edhe në këtë takim hyjmë për fitore. I kam dëgjuar disa zëra që ne kundër Feronikelit do të futemi për barazim, por duhet ta dinë të gjithë tashmë se Llamkos Kosova luan vetëm për fitore.
Afrim Tovërlani: Gjithsesi udhëtojmë për fitore. U pa që kemi skuadër më të mirë se në vjeshtë dhe po ta kishim edhe në stinorin e kaluar këtë ekip, me siguri se do të ishim në vend të parë. Mirëpo, futbolli këtë e ka.
Cili futbollist i juaji mund të përcaktojë takimin?
Ismet Munishi: Ndeshjet derbi nuk dihet se kush i përcakton. Këto takime fitohen nga 11 futbollistë. Mund të përcaktojë një mbrojtës, një mesfushor apo dikush tjetër.
Afrim Tovërlani: Nuk e di se cili. Është ndeshje që mund të përcaktohet nga një gabim i një goditje të lirë. Nuk mund ta them se kush mund ta vendosë.
Rezultati i saktë sipas jush?
Ismet Munishi: Fitojmë 2:0
Afrim Tovërlani: Fitojmë 2:0
A do të ketë premia?
Ismet Munishi: Lojtarët do të kenë premia kur do të kurorëzohen me titull. Premi për lojtarët tanë është fitorja kundër Prishtinës.
Afrim Tovërlani: Nuk e di për premia. Është pyetje për bordin.
Ndeshja e parë
Në ndeshjen e parë të luajtur në stinorin vjeshtor, Prishtina e kishte mundur Llamkos Kosovën me rezultat 1:0 me golin e Berat Hysenit, i cili tashmë luan në Ferizaj.
Munishi – Tovërlani 0:3
Prej se janë trajnerë Ismet Munishi (Llamkos Kosova) dhe Afrim Tovërlani (Prishtina), janë takuar tri herë në mes vete. Në të gjitha takimet Prishtina ka shënuar fitore, duke e mposhtur Llamkosin dy herë në kryeqytet dhe një herë në Vushtrri. /SportPlus/Telegrafi/