Telegrafi

Munishi e fajëson fushën për humbjen e Prishtinës nga Malisheva

Prishtina është mposhtur 2-1 në udhëtim te Malisheva në kuadër të javës së 16-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Pas ndeshjes, trajneri i badhëekaltërve – Ismet Munishi ka thënë se terreni i vështirë nuk i lejoi ta zhvillonin lojën e tyre.

“Nuk meriton të ketë këso fushe. Nuk e di a ekziston në botë apo vetëm këtu, ku topi nuk kontrollohet mirë, pasi kërcen shumë”, ka thënë fillimisht trajneri i Prishtinës pas ndeshjes për ArtSport.

“Këtu e ka një përparësi ekipi vendas, por është gjynah edhe për lojtarët e Malishevës që luajnë këtu. Kemi pësuar gol nga ndërprerja, ku e kemi ditur se Malisheva është e fortë nga ndërprerjet”.

“Malisheva fitoi me meritë dhe sigurisht se më vjen keq për këtë humbje”, ka shtuar më tej Munishi. /Telegrafi/