Telegrafi

Munishi: Disa skuadra po luajnë miqësore, Ballkani luan futboll të vërtetë

Ballkani ka bërë një hap mbrapa në luftën për titullin e kampionit.

Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi ka barazuar 1-1 në udhëtim te Ferizaj, duke mbetur pesë pikë mbrapa liderit Dritës.

Trajneri i kësaj skuadre Ismet Munishi ka thënë se kishte shumë mungesa në formacion dhe u detyrua të bëjë rotacion.

“Kishim mungesa në përbërje dhe ishim të detyruar të bënim rotacione. Pësuam gol nga një pakujdesi, megjithatë mendoj që sot nuk e merituam barazimin”, deklaroi fillimisht Munishi për “Super Sport Kosova”.

Pas kësaj tekniku kosovar u ndal duke folur për kundërshtarët e tij në luftën për titull.

Ai ka akuzuar skuadrat tjera konkurrente për titull se po luajnë ndeshje miqësore, duke nënkuptuar se po marrin fitoren më të lehta se që pritet.

“Disa skuadra të tjera po luajnë ndeshje miqësore, ndërkohë ne po luajmë futboll të vërtetë. Ne po i shohim skuadrat tjera se si po luajnë ndaj nesh dhe ndaj pretendentëve të tjerë. Ne të gjithë gjërat po i shohim, por ne jemi krenarë për punën tonë”, përfundoi Munishi.

Ballkani aktualisht zë pozitën e katërt në tabelë me 50 pikë të tubuara pas 26 xhirove, pesë më pak se lideri aktual Drita. /Telegrafi/