Qeveria e Kosovës, e udhëhequr në atë kohë nga kryeministri Hashim Thaçi dhe ajo e Shqipërisë nga kryeministri Edi Rama, organizuan takim të përbashkët në janar të vitit 2014 në qytetin e Prizrenit.
Nga ky takim, të dy qeveritë së bashku ndan 100 mijë euro për Luginën e Preshevës.
Por, cila është arsyeja që Qeveria e Kosovës nuk ndanë më shumë mjete për Luginën e Preshevës?
Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj thotë për RTV Dukagjinin se mungon vullneti për të ndarë fonde për Luginën e Preshevës, pasi sipas tij, buxheti i Kosovës edhe mund ta përballojë një gjë të tillë.
“Kapacitete ka qeveria e jonë për të investuar në Luginën e Preshevës, për faktin se kushtet e tyre janë të mjerueshme, si në edukim, shëndetësi apo fusha tjera të jetës. Kjo nuk ka ndodhë ndoshta edhe për shkak të pengesave që ka bërë Serbia, apo për shkak të neglizhencës nga qeveria jonë për t’i ndihmuar ata shqiptarë. Ka pasur disa investime të vogla nga Qeveria e Kosovës, por as Shqipëria nuk i ka ndihmuar këta shqiptarë”, deklaroi Arton Demhasaj.
Por, në anën tjetër kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se fondet e tilla për Luginën e Preshevës janë të papërballueshme për buxhetin e Kosovës.
“Mungesa e investimeve në atë zonë unë e shoh kufizimin e mjeteve buxhetore. Por ka një mungesë reciprociteti, duke parë se Serbia po investon në pjesën veriore të Kosovës”, tha Berat Rukiqi – Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Zyrtarja për Informim në Zyrën e Kryeministrit, Donjeta Gashi, përmes një përgjigjeje elektronike i tha RTV Dukagjinit, se “Qeveria e Kosovës ka ndarë së fundmi 112 mijë euro si ndihmë Komunës së Preshevës për realizimin e disa projekteve, siç janë, Këndi i lojërave për fëmijë dhe Parku i Paqes.”
E në pyetjen se si është e mundur që Qeveria e Serbisë investon miliona euro në veri të Kosovës, ndërsa Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë nuk ndajnë më shumë se 100,000 euro në vit, zyrtarja për Informim në Zyrën e Kryeministrit, Donjeta Gashi, dha këtë përgjigje:
“Qeveria e Kosovës nuk merret me propagandë në Luginë të Preshevës dhe nuk investon në instrumentalizimin e shqiptarëve atje, por është konsistente në politikat e saj paqësore dhe euro-atlantike.”
Zëdhënësja Gashi bëri të ditur se kryeministri Haradinaj nuk ka në agjendën e tij ndonjë vizitë në Luginën e Preshevës.
Gjatë muajit tetor Komunës së Bujanocit, Qerveria e Kosovës i ka ndarë 40 mijë euro, për renovimin e Shkollës fillore në fshatin Samolicë. /Telegrafi/