Telegrafi

Mungon prokurori, shtyhet gjyqi ndaj Tolajt

Gjykata sot kishte paraparë të mbante shqyrtimin gjyqësor në rastin ndaj ish-sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt, dhe pesë personave të tjerë. Por, nuk u zhvillua meqë mungoi prokurori i çështjes.

Prokurori Admir Shala e kishte njoftuar Gjykatën se nuk do të vijë në këtë seancë, pasi që është në pushim vjetor. Ai e kishte lutur Gjykatën që këtë seancë ta shtynte për një datë tjetër.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues mori vendim që seanca të mos mbahet . Ajo caktoi seancën e radhës për më 9 shtator 2016.

Tolaj, bashkë me Bekim Fushën, Zenel Kuqin, Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin akuzohen për keqpërdorim të detyrës. Pjesë e aktakuzës ishin edhe dy biznesmenë, Arion Lleshi e Shpend Agani.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe Gjykata. Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, Gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë. Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro. /kallxo.com/