Site icon Telegrafi

Mungon prodhimi vendas i djathit në Shqipëri, në 4 muajt e parë të vitit importet nga jashtë u rritën me 15%

Në mungesë të produktit vendas, si pasojë e braktisjes së bujqësisë, Shqipëria po rrit importin e qumështit, kryesisht nga Serbia Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 4-mujorin e parë u ble nga jashtë bulmet në sasinë e gati 8 mijë e 600 tonëve nga më pak se 7 mijë e 500 tonë në po të njëjtën periudhë kohore të 2022-shit.

“Nëse do të vazhdohet me këtë trend ne do të jemi të pa-preferuar nga konsumatori në raftet e supermarketet. Kjo si pasojë edhe e informalitetit në sektorin blegtoral e bujqësor që pengon zhvillimin”, Donjaldo Hoxha, Industria e Përpunimit të Qumështit.

Për shkak edhe të krizës së çmimeve, blegtoria fitoi vëmendjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Skemën Kombëtare 2023. Nga 3.3 miliardë lekë në total, gati gjysma e këtyre parave po shkon për të mbështetur fermerët që mbarështojnë lopë, dele apo dhi, por për përfaqësues nga sektori kjo nuk mjafton.

“Ne kemi kërkuar skema subvencionuese të krahasueshme me rajonin që fermerëve t’u uleshin kostot e operimit. Kjo do të inkurajonte ata të shtonin numrin e bagëtive dhe do të ndihmonte në rritjen e konkurrueshmërisë së produktit vendas në raftet e supermarketeve”.

Të dhënat nga INSTAT ndërkohë tregojnë se çmimet e produkteve bulmetore në vend po vijojnë të rritet. Muajin e shkuar, inflacioni te kjo kategori mbeti në 14 për qind, gati 2.5 herë më e lartë se inflacioni i përgjithshëm./A2 CNN

Exit mobile version