Telegrafi

Mungon në PDK, do të flasë më vonë

Partia Demokratike e Kosovës ka më shumë se një muaj që ka filluar zgjedhjet e brendshme, nëpër seksione e degë të cilat çdoherë po përcjellën e përshëndeten për së afërmi nga kryesia e kësaj partie, megjithatë në këtë proces nuk është parë sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Krasniqi.

Ai nuk është parë as në ceremonitë e anëtarësimeve që ndodhën nëpër komuna. Megjithatë, mosangazhimin e tij në këtë proces, Jakup Krasniqi e arsyeton me punët e Kuvendit në këtë fund vit, ndërsa për çështjen e partisë, ai ka preferuar të flas më vonë.

“Unë jam duke i kryer detyrat dhe përgjegjësitë e mia në Kuvendin e Kosovës. Për partinë mund të flasim në parti, natyrisht mund të flas edhe unë më vonë”, ka theksuar Krasniqi.

Edhe pas insistimit të Kosovapressit, Krasniqi nuk ka preferuar në këtë kohë të flas, duke thënë se më vonë do të jap qëndrimin e vet.

Sekretari Krasniqi që një kohë të gjatë vazhdon të kritikoj mënyrën e menaxhimit të partisë nga kryetari, Thaçi.

Po ashtu një kërkesë e Krasniqit dhe Fatmir Limajt vazhdon të mbetet që zgjedhjet në PDK të mbahen një anëtar një votë. /Telegrafi/