Telegrafi

Mungesë kuorumi, dështon miratimi i disa Projektligjeve dhe rezolutave në Kuvend

Kuvendi i Kosovës sërish në mungesë të kuorumit dështoi të miratoj disa Projektligje dhe propozim rezoluta.

Fillimisht nuk u miratua Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Mungesë vendimmarrje pati edhe për votimin e Propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Lexo po ashtu Sërish dështon miratimi i Projektligjit për UÇK-në në Kuvend

Ndërsa, kuorum nuk pati as për një rezolutë të LVV-së nga interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Deputetët dështuan të votojnë në parim edhe Projektligjin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”, e po ashtu edhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për automjete.

Të gjitha këto mbeten që sërish të hidhen për votim në seancat e ardhshme të Kuvendit. /Telegrafi/