Gjykata e Gjakovës ende nuk ka caktuar seancën e gjykimit të të dyshuarve për gjuajtjet me armë në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.
Lajmin për kallxo e konfirmoi gjyqtari Lulzim Paqarizi.
Një prej arsyeve për këtë sipas gjyqtarit Paqarizi është edhe mungesa e gjyqtarëve.
“Aktakuza është ngritur në maj të këtij viti. Ky është rast i ri. Ne kemi edhe raste tjera më të vjetra për të cilat nuk është caktuar gjykimi”, tha gjyqtari.
Arsyeja tjetër, sipas gjyqtarit, është mungesë e gjyqtarëve në këtë lëmi.
“Sepse përveç meje që jam gjyqtar mbikëqyrës, gjyqtari tjetër Lufti Shala është transferuar në Prishtinë”, tha Paqarizi.
Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Dardan Gashit, Sami Lushtakut dhe Endrit Shalës, për posedim të paautorizuar të armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke festuar në odën e Fatmir Limajt.
Më pas, kësaj aktakuze iu shtuan edhe Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati.
Të pandehurit në festën e Limajt, pas lirimit nga akuzat e Prokurorisë për krim të organizuar dhe keqpërdorim detyre, janë parë duke gjuajtur me armë nga dritaret e odës.
Të njëjtit pritet që të përballen me akuzat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë-dega Malishevë, akuza këto të ngritura më 16 maj 2018.