Banorë të fshatrave Gllogovicë, Hajkobillë, Dabishec, Prapashticë dhe një pjesë e Marecit, kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës, për shkak të mungesës së transportit publik.
Asllan Bekteshi, mësues në fshatin Gllogovicë, tha se që një vit nuk kanë transport publik dhe se kërkesat e tyre po hasin në vesh të shurdhër.
Sipas tij, për shkak të mungesës së transportit publik shumë studentë e nxënës po detyrohen të ndërpresin shkollimin.
“Ne që një vit jemi pa transport publik e që na është vështirësuar jeta. Është shumë më rëndësi ta cekim se nxënësit e klasave të nënta e kanë mbaruar shkollimin dhe në mungesë të transportit nuk kanë pasur mundësi të vijnë për t’u shkolluar. Ata që janë me asistencë sociale të cilët po duhet të paguajnë taksi nga Prishtina për të shkuar në Gllogovicë dhe anasjelltas për të ardhur këtu për të marrë një ndihmë sociale”, tha ai.
Bekteshi deklaroi se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre derisa banorët e këtyre fshatrave të kenë transport publik.
“Na kanë premtuar, na kanë thënë do të shohim mundësitë, për momentin nuk kemi mundësi, por do t’i shqyrtojmë kërkesat e juaja. Kam qenë unë drejtpërdrejtë edhe tek nënkryetari (i Komunës së Prishtinës) Muhedin Nushi, te drejtoresha dhe vetëm na kanë premtuar por kurrgjë nuk është konkretizuar. Andaj sot po e shihni që fshatarët kanë ardhur në mënyrë vullnetare për t’u takuar me kryetarin Shpend Ahmeti, dashtë Zoti ai na e bënë një zgjidhje. Por që nuk bën, ne nuk do të tërhiqemi, ky është hapi i parë, ne nuk do të ndalemi derisa të arrijmë qëllimin tonë”, tha ai.
Enes Ibrahimi, student në Universitetin e Prishtnës, tha se për nj vit ka bërë kërkesa në Komunën e Prishtinës që të ketë transport publik, por që tha se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje.
Ai tha se po e ka të vështirë të ndjek studimet për shkak të mungesës së transportit.
“Qe një vit udhëtoj 8 kilometra bëj rrugë deri tek fshati Keqekollë te linja e autobusit e cila është linja 15. E kam shumë të vështirë t’i ndjek studimet për shkak se po marr shumë mungesa për shkak të autobusit, nuk kemi as transport publik, as transport privat. Kam bërë shumë kërkesa në emrin tim si student që jam në universitet, por nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje. Po pres që dy muaj, pres përgjigje nga zyrtarët komunalë, por nuk më kanë kthyer asnjëherë përgjigje. Unë po detyrohem t’i ndërpres studimet për shkak të transportit publik”, tha ai.
Banori tjetër, Ejup Hyseni, tha se nuk u ka mbetur asgjë tjetër vetëm të shpërngulen nga këto fshatra për shkak të mungesës së transportit.
“Nxënësit na kanë mbetur nëpër shtëpi shkaku i transportit, ata studentë të cilët janë duke punuar në Prishtinë dhe studentë që janë duke u shkolluar pothuajse e kanë ndërprerë shumica e tyre shkaku i transportit. Për neve është shumë vështirë, tjetër gjë nuk na ka mbetur vetëm të shpërngulemi edhe ato familje që jemi shkaku i transportit”, tha ai. /kp/