Në Ditën e të Pagjeturve në Kosovë dhe përvjetorin e Masakrës së Mejës, institucioni qeveritar që është i ngarkuar të punojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, thotë se nevojitet presion nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë, që kjo e fundit të bashkëpunojë në zgjidhjen e kësaj çështje.
Udhëheqës i zyrës së Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, Kushtrim Gara në një intervistë për KosovaPress, thotë se mungesa e rezultateve në çështjen e personave të pagjetur në Kosovë është pasojë e mosbashkëpunimit nga Serbia. Ai thekson se vetëm presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë mund të ndikojë në gjetjen e mbetjeve mortore.
Sipas tij, numri i personave të zhdukur vazhdon të jetë shtyrje për institucionet që të angazhohen më shumë.
“Shqetësuese mbetet mungesa e rezultateve që vjen si pasojë e mungesës së bashkëpunimit nga pala serbe dhe sigurisht që edhe në këtë ditë, ashtu si çdo ditë tjetër në vazhdojmë me thirrjet për bashkësinë ndërkombëtare që të shtojnë presionin ndaj institucioneve të Serbisë për të qenë më bashkëpunues, në ketë rast para se të gjithash kjo nënkupton hapjen e arkivave të ish ushtrisë jugosllave, meqë është konfirmuar që këto arkiva i kanë të dhënat të cilat sigurisht që do të na ndihmonin në zgjidhjen e të gjitha rasteve të personave të zhdukur”, thotë Gara.
Ai thotë se situata e krijuar me pandeminë Covid-19 ka ndikuar edhe në punën gërmuese për mbetje mortore, por sipas tij, kanë të shënuara lokacione në Mitrovicë, Prizren, Podujevë e Pejë në cilat do të punojnë në mundësinë e parë të krijuar pas koronavrusit.
“Përvoja e deri tanimahme e ka konfirmuar që vetëm një presion i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, sigurisht që mund të sjellë më shumë rezultate. Kur them përvoja e deritanishme, u referohem 4 lokacioneve që janë hapur gjatë këtyre 21 viteve në kuptimin e gërmimit vlerësues, në territorin e Serbisë, duke filluar nga lokacioni në Batajnicë, pastaj në Petrovosello, dhe se fundi në Rudnicë të Rashkës, dhe nga këto lokacione janë gjetur më shumë se 900 mbetje mortore të 900 viktimave shqiptare të Kosovës”, thotë Gara.
Kuvendi i Kosovës në vitin 2007 e ka shpallur 27 Prillin Ditë të Personave të Pagjetur por edhe ditë kur përkujtohen viktimat e Mejës, që u masakruan në prill të 1999-ës ku 367 shqiptarë u vranë brenda një dite.
Mbi 1 mijë e 600 histori të dhimbshme përkujtohen sot në Kosovë, qindra fëmijë, gra, pleq e të rinj, të vrarë, masakruar e zhdukur pastaj, në Mejë e në gjithë Kosovën nga okupatori serb. /kp/