Site icon Telegrafi

Mungesa e reshjeve ndikon ndaj bujqësisë në RMV

Situata me mungesën e reshjeve të shiut, e sidomos të borës si dhe temperaturat e pazakonshme për mesin e stinës së dimrit, ndikon negativisht te të gjitha kulturat bujqësore, thonë agronomët. Angelko Angeleski nga drejtoria për punë hidrometeorologjike thotë se për të mbijetuar kulturat bujqësore nevojitet borë dhe akull.

“Sasitë e tilla të reshjeve në këtë periudhë të vitit janë shumë të vogla, për mungesën e lagështisë që e kemi në tokë, Akoma më shumë që kemi mungesë të ujit në akumulimet artificiale që do të nevojiten për periudhën e ardhshme, gjegjësisht verën e ardhshme për kryerje të ujitjes që do të nevojiten. Situata e tillë me temperatura të tilla, në mes të dimrit, mendoj se gjendja nuk është e mirë, për asnjërën kulturë nuk është e mirë, për shkak se këto temperatura janë të pazakonshme për këtë periudhë të vitit. Duhet tani të kemi akull dhe borë që të mund të mbijetojnë normalisht… Vlerësimi im momental për këtë gjendje është se kushtet e motit ndikojnë negativitisht mbi kulturat bujqësore…”, tha Angelko Angeleski, agrometeorolog.

Angeleski thotë se në këtë situatë nuk mund të ndërmerret asgjë, përveç uljes së temperaturave dhe reshjeve të borës.

“Asgjë nuk mund të ndërmarrim sepse megjithatë bujqësia është një fabrikë në ambient të hapur, pjesa më e madhe e punëve që bëhen janë në hapësirë të hapur, kulturat bujqësore varen nga kushtet klimatike, kushtet klimatike kështu siç janë, do të duhet që ne të përshtatemi me to, pasi ato nuk mund të përshtaten me ne…”, shtoi Angelko Angeleski, agrometeorolog.

Ndërkohë që termometri në mesin e dimrit shënon temperatura deri në 15 gradë celsius, Angeleski krahason gjendjen me vitet e kaluara kur në këtë periudhë të vitit kishte temperatura më të ulëta se minus 20 gradë celsius. /Alsat.mk

Exit mobile version