Site icon Telegrafi

Mungesa e një alternative të përbashkët rreth dialogut e vë Kosovën në qorrsokak

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur mbajti tryezën në vazhdën e ciklit të Forumit 2015 me titull “Negociatat Kosovë-Serbi: Një qasje racionale?”, ku u shtrua nevoja që palët të identifikojnë interesat strategjike.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka avokuar për qasje pozitive për të dyja palët në mënyrë që të zgjidhen pengesat që aktualisht janë.

Ai tha se është me rëndësi formimi i një vizioni më të gjerë strategjik sa i përket dialogut Kosovë – Serbi. Duke folur edhe për të shkuarën e Gjermanisë, ai tha se e kupton se nuk mund të ecet përpara kur e ndjen se ende nuk është kërkuar falje për dhimbjet e shkaktuara. Ndonëse tha që ka ardhur koha që përfundimisht të bëhet diçka për qytetaret e të dyja vendeve.

Ai tha se dialogu është një proces i cili mund të ketë një moderator, por përgjegjësia bie mbi palët që dialogojnë, gjegjësisht mbi Kosovën dhe Serbinë.

“Kemi nevojë që të dyja palët të identifikojnë interesat strategjike në këtë proces dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet t’i përcaktojë interesat, kjo varet nga palët. Duhet të kemi njëfarë lloj pronësie nga ky vend dhe njëfarë lloj vetësigurie për të hyrë në marrëveshje bilaterale. Unë mendoj se kështu mund të hyni vetëm pasi t’i keni interesat strategjike”, tha Heldt.

Edhe publicisti Veton Surroi, tha se çështja sot është tek palët, gjegjësisht tek spektri politik i Kosovës dhe tek shoqëria civile që të gjejnë se cilat janë shtyllat që duhet të diskutohen në këtë dialog.

Sipas tij, aderimi në NATO, anëtarësimi në BE dhe në OKB janë shumë të rëndësishme, por ajo që duhet të bëhet tash është të arrihet një marrëveshje për të përfunduar konfliktin me Serbinë.

“Delegacioni i Kosovës ka hyrë në Bruksel pa legjitimitet pa autorizim nga Kuvendi, ka hyrë në një proces pa pasur parime, caqe, strukturim të procesit negociator. Kemi hyrë në një proces që ndërmjetësi ka përcaktuar se cila do të jetë agjenda, ka qenë një mundësi e hapur që çdo kush të krijojë agjendë. Produkt i mungesës të një përgatitje, përcaktimi, strukturimi, mungesë e kërkesës së Kosovës që ky proces të organizohet në përputhje me nevojat e Kosovës. Alternativa ndaj kësaj çështje është e thjeshtë: duhet të modifikohet natyra e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Po ashtu, Surroi theksoi se Kosova ka nevojë për unitet politik. “Mosprezantimi i një platforme të përbashkët, madje i cili mund edhe të mos jete publik por i mirëbesuar, e vë Kosovën në një qorrsokak. Çështja është se duhet të ndërtohet uniteti politik në mes të pozitës dhe opozitës”, tha Surroi.

Jeta Krasniqi nga KDI tha se mungon një qëndrim unik qoftë edhe i një mazhorance të konsoliduar se çfarë kërkon Kosova në këto bisedime.

Exit mobile version