Një ditë më parë disa banorë të Prishtinës paraqitën shqetësimin e tyre se Linja e trafikut urban nuk kalon në lagjen “Kolovica” respektivisht, në rrugën “Haxhi Zeka”, lagje kjo e vjetër e kryeqytetit.
Banorët e kësaj lagje treguan se në këtë pjesë të qytetit kalojnë vetëm linjat e autobusëve privat.
Ata thanë se këta autobusë ndalojnë vend e pa vend, duke bërë vonesa të panevojshme gjatë udhëtimit.
Po ashtu, ata u ankuan se gjatë ditëve të vikendit në këtë pjesë të qytetit nuk kalojnë autobusët, apo edhe nëse kalojnë nuk janë të rregullt në orar.
E lidhur me këtë nga Komuna e Prishtinës thanë për Telegrafin se këtë vit pritet të fillojë reforma e linjave të trafikut urban.
Zyrtari për informim në Komunë të Prishtinës, Donat Lushaku ndër të tjera tha se linjat e reja do të fillojnë në tre mujorin e parë të vitit 2025 në Prishtinë.
“Reforma e linjave fillon këtë vit, linjat e reja duhet me fillu në 3 mujorin e parë të vitit 2025”, tha Lushaku. /Telegrafi/