Site icon Telegrafi

Mungesa e guximit medial

Zhvillimi i mediave televizive në Kosovë është në kolaps tash e sa vjet. Televizionet tona ekzistuese me frekuenca gjithëkosovare janë të degraduara me programet e tyre. Por, si u bë që këto televizione, përkundër këtyre degradimeve, të vazhdojnë të punojnë dhe të emetojnë programe në këtë mënyrë gati pa pikë respekti për publikun?

Besoj që këtu nuk është me rëndësi të përmendi që edhe vet isha pjesë e ndërtimit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe atë prej Uashington D.C. Me një përvojë deri atëherë diku 5 vjeçare në gazetari, pata qenë ndër insistuesit e hapjes së një radio dhe televizioni si transmetues publik, i pavarur nga politika dhe i dedikuar vetëm ndaj publikut, pra, qytetarëve të saj, qytetarëve të Kosovës. Ky ishte formulimi (që më vonë do të del të jete formulim fantazmë) përmes së cilës filloi të transmetojë RTK-ja.

Dalja nga lufta më 1999, dalja nga një situatë politike e copëtuar, dalja nga një ekskursion medial i anshëm që shpesh e sillnin Kosovën në teh të luftës ndër-qytetare, ishin arsye pse Kosova dhe qytetarët e saj e meritonin një televizion për ta dhe vetëm për ta. Plus kësaj, ishte edhe arsyeja tjetër që quhej Radio dhe Televizioni i Prishtinës (RTP). Pritja e vendosjes dhe e instalimit të demokracisë në Kosovë shkonte ndesh me pikëpamjet mediale që kishte përhapur RTP-ja. Pra, RTK-ja kërkonte t’i ikte qasjes dhe skemës programore që e kishte RTP-ja.

Por, me kalimin e kohës, dolën dy arsye kryesore pse ky medium do ta pësonte keq, e bashkë me të edhe shoqëria e Kosovës edhe fusha e mediave televizive. E para, perceptimi publik. RTK, përmes dy drejtuesve të saj, atëherë Riqard Llukas (i cili s’kishte lidhje me gazetari) dhe Agim Zatriqi, propagandonin ato qasjet që i përmenda më lartë. Këta dy persona, në emër të medieve të lira e të pavarura, vepronin krejt ndryshe nga ajo që e thonin. Ishin këta njerëz ata që punësonin punëtorë pa konkurs. Përveç tjerash…

E dyta, programi. Përkundër gjithë atyre kamerave në dispozicion, përkundër gjithë atyre pajisjeve për montazh, përkundër gjithë atyre veturave, përkundër gjithë atyre kushteve të shkëlqyeshme për punë (përveç rrogave dhe mëditjeve) gazetarët dhe redaktorët e lajmeve dhe programeve prodhonin programe e lajme të lodhta. Ose, në të shumtën e rasteve, ato programe kishin karakter të pastër politik, ishin të njëanshme dhe propaganduese-reklamuese. Edhe sot e kësaj dite kur shikon lajmet e RTK-së mund ta dish se cili lajm është paguar përmes cilit gazetar, e lëre më emisionet e porositura.

2. Pas themelimit të RTK-së ishte e domosdoshme që të fillohej me themelimin e mediave private, pra, që njerëzve të interesuar në media dhe në biznes t’u jepej mundësia të hapnin media me burimet e tyre financiare. Ishin amerikanët ata që investuan në hapjen e Kohavizionit (KTV) dhe të Radiotelevizionit 21 (RTV21). D.m.th, përgjithësisht, ishte nisje e mirë.

Jo më shumë se një vit më vonë, doli se edhe KTV edhe RTV21 të jenë mossuksese strategjike edhe në investim financiar edhe në program medial. Nuk prodhonin asgjë, as programe informative, as dokumentare e asgjë tjetër. Në përbërjen e tyre kishte njerëz që ishte hera e parë që kishin dëgjuar për mediat në përgjithësi dhe për televizionin në veçanti. Shumica e atyre të punësuarve ishin aty sepse kishin dëshirë të dilnin në televizor. Kështu, paratë dhe donacionet e dhëna në emër të zhvillimit të demokracisë dhe të mediave në Kosovë përfunduan në përfitime familjare. Rrafsh sikurse në RTK.

Liberalizmi i frekuencave dhe i transmetuesve privat i mediave pamore, pra, televizioneve në Kosovë, nuk po ndodhte. Hapja e tyre (edhe nëse do të ishin 100 televizione me frekuenca gjithëkosovare) do të mundësonte garën mes vete. Garë të shëndosh, gjithsesi. Garë se kush po bën lajme të mira, më të shikuara e më të dëgjuara, programe televizive më kreative, e kështu me radhë. Reklamat vetvetiu do të orientoheshin në televizionet, përkatësisht, në programet televizive më të mira. Ndërkohë, mediat do të përqendroheshin të punësonin gazetarë, sidomos me përvojë. Por, kjo nuk ndodhi e duket që as që e njet të ndodhë. Skena mediale televizive u monopolizua tërësisht.

Mediat dhe Bashkimi Kombëtar

Në krejt këtë muhabet ndoshta ka diçka të mirë – televizionet nga Shqipëria. Top Media dhe disa të tjera na mundësua, në fakt, na treguan që Kosova dhe qytetarët e saj po jetonin në terr të plotë informativ. Këto televizione na treguan se çka është debati, na treguan se si bëhen lajmet, si bëhen programet dokumentare, çka është filmi, pastaj na treguan se çka janë partitë politike, na treguan se çka është biznesi, çka është muzika, me një fjalë, na treguan se çka është dhe si funksionin një shoqëri demokratike dhe çka është shteti. Pagesa për të shikuar këto kanale televizive nuk ishte me rëndësi. Ishte ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm. Sidomos i programeve për fëmijë. Kur flitet për fëmijët, nuk është vetëm puna e gjuhës por edhe e mësimit të matematikës, gjeografisë, historisë, etj. Edhe sot e kësaj dite televizionet tona u qasen fëmijëve vetëm përmes filmave të animuar.

Tek e fundit, kështu filloi Bashkimi Kombëtar. Përmes mediave. Përmes njohjes së njëri-tjetrit. Si çdo fillim, edhe ky fillim i njohjes me njëri-tjetrin ishte i vështirë. Shkrimtarët dhe publicistët sikurse Ismail Kadare na kishin helmuar me propagandat e tyre shumëvjeçare dhe na kishin kthyer kundër njëri-tjetrit deri në atë masë saqë nuk e duronim ta shikonim njëri-tjetrin as në sy. Thyerja e këtij Muri virtual dhe psikik të Berlinit mundësoi nisjen e rrugës Durrës- Morinë, pra, afrimin më të lehtë fizik. Pa këtë të parën nuk do të ndodhte kjo e dyta.

Nuk pretendoj të kem anime politike por mendoj që do të ishte politikisht korrekte të thuhet që njohtimi i tillë vjen nga Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), konkretisht, nga Fatos Nano. E përmenda këtë person duke provuar ta marr si ilustrim atë thënien “njeriu i duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur”. Ndoshta ky është mallkimi më i madh që i është bërë kësaj toke të quajtur Kosovë – mungesa e njerëzve të duhur, në vend të duhur, në kohë të duhur.

Exit mobile version