Site icon Telegrafi

“Mungesa e Granit Xhakës në Serbi nuk është opsion” – Yakin flet për ndeshjen që gjithmonë është e tensionuar

Përzgjedhësi i Zvicrës , Murat Yakin, ka thënë se Granit Xhaka do të paraqitet në ndeshjen kundër Serbisë në Leskovc, duke shtuar se historitë e shkuara mbeten të shkuara.   

Ai në konferencën për medie të enjten ka thënë se nuk është opsion mosparaqitja e Xhakës në ndeshjen e Ligës së Kombeve të UEFA-s ndaj serbëve.  

“Mungesa e Xhakës në ndeshjen ndaj Serbisë nuk është në opsion. Sigurisht se është një ndeshje emocionale, por jo gjithmonë duhet të mendojmë për histori të vjetra. Ne do të përqendrohemi te futbolli. Nuk mund të ndikoj asgjë tjetër. Me Granitin nuk e kemi diskutuar aspak këtë çështje”, ka thënë Yakin të enjten në konferencë për media. 

Yakin ka theksuar se Xhaka është i padiskutueshëm te Zvicra pasi është kapiten dhe lider i Zvicrës.  

Xhaka është rekordmen sa u përket paraqitjeve me përfaqësuesen helvetike të futbollit, pasi ka luajtur 131 ndeshje dhe ka shënuar 14 gola. 

“Granit Xhaka është kthyer. Na ka munguar në ndeshjen kundër Spanjës. Serbia është konkurrenti ynë kryesor dhe ne synojmë pikët e plota ndaj Serbisë dhe Danimarkës”, përfundoi Yakin. 

Krahas Xhakës, edhe Andi Zeqiri është përfshirë në listën e Zvicrës për ndeshjen ndaj Serbisë dhe Danimarkës. Ndaj Serbisë, Zvicra përballet më 12 tetor, kurse më 15 tetor, helevetikët luajnë ndaj Danimarkës. /Telegrafi/  

Exit mobile version