Historikisht në Kosovë debatet mes kandidateve për kryeministër kanë munguar. Së fundmi kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së Enver Hoxhaj ftoi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në debat televiziv, por ky i fundit nuk e pranoi një të tillë. Kjo qasje po cilësohet si e gabuar nga njohësit e zhvillimeve politike
“Partitë e tjera po garojnë për vendin e dytë e as unë e as zonja presidente nuk kemi çka kërkojmë në atë garë”, ka thënë Kurti gjatë një konferencë bashkë me Vjosa Osmanin.
Për njohësit e zhvillimeve politike, refuzimi për debate televizive nuk është kulturë demokratike.
Politologu Ramush Tahiri shprehet skeptik se një debat i tillë do të ndodh.
“Unë kam dëshirë që të ndodh një debat i tillë. Por nuk pres që të pranojnë liderët…Qytetarët do të mësonin nga programet dhe do të ishte një kulturë demokratike”, deklaroi Ramush Tahiri për RTV Dukagjinin.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Afrim Hoti , thotë se është e domosdoshme që politikanët ta prezantojnë programin e tyre politik, përcjell Telegrafi.
“Trendi në të ardhmen duhet të shkojë ka edukimi i votuesit. Liderët që pretendojnë të drejtojnë vendin duhet patjetër të komunikojnë me qytetarët në mënyrë që ta bind qytetarin se çfarë i pret në të ardhmen nëse e votojnë atë politikan”, tha Afrim Hoti./Telegrafi/