Shtëpia e pionierëve në Kumanovë ende nuk ka filluar të funksionojë si çerdhe. Ministria e punës dhe politikës sociale, vitin e kaluar ndau 3,5 milion denarë që një pjesë e saj të rinovohet për të rritur kapacitetin e çerdheve publike. Në gusht të 2017-ës, ministrja Milla Carovska tha se në këtë objekt do të pranohen edhe 85 fëmijë nga lista e gjatë e pritjes që në Kumanovë arrin shifrën e 600 fëmijëve. Ajo tha se në vitin 2018 do të ndahet buxhet edhe për rikonstruimin e 13 objekteve në nivel shtetërorë.
“Në Kumanovë, si një nga komunat më të mëdha në Maqedoni, vetëm 26% e fëmijëve janë të përfshirë nëpër çerdhe. Andaj vendosëm që këtu është shumë me rëndësi të ketë hapësirë shtesë, aq sa mundëm këtë vit. Në periudhën e ardhshme do të punojmë me përkushtim që të rrisim kapacitetet ashtu siç kemi premtuar si qeveri, që duhet të arrijmë 50%-in e përfshirjes së fëmijëve nëpër çerdhe në të gjithë Maqedoninë. Kompania për 45 ditë duhet të kryej punë. Më 1 gusht ka filluar puna që do të thotë se diku nga 20 shtatori duhet të kemi kryer punë këtu”, tha Carovska.
Deri në fund të janarit, ky objekt ende është i pashfrytëzueshëm, ndonëse nga mungesa e hapësirave për çerdhe mbeten peng fëmijët të pa kyçur në procesin e edukimit dhe socializimit të hershëm.
Çerdhja ngjitur me Shtëpinë e pionierëve është me kapacitet të dyfishuar, thotë njëra nga edukatoret.
“Në këtë çerdhe janë të vendosura 7 grupe nga mosha 3-6 vjeç që mësojnë nga programi për zhvillim të hershëm të fëmijëve dhe fëmijët që shkojnë në shkollë dhe pastaj kthehen në çerdhe, të cilët i takojnë moshës nga 7-10 vjeç. Grupe të tilla kemi tre, kurse 4 grupe kemi të çerdheve”, u shpreh Lidija Janevska, Edukatore përgjegjëse.
Njëra nga edukatoret e objektit që gjendet në lagjen e cila është multientike, thotë se kjo çerdhe është model i bashkëjetesës me që mësojnë në grupe të përziera. Biljana Çungurski thotë se periudha kur fëmijët mësojnë prej 1 deri 6 vjet, është më e rëndësishmja për formimin e një personaliteti të shëndoshë, pa paragjykime.
Ajo ka një shqetësim se edhe këto hapësira po keqpërdorën natën, në mungesë së kamerave të sigurisë.
“Këtu mund të apeloj rreth mirëmbajtjes së zonave të gjelbëruara rreth çerdhes dhe parkingu publik mos të keqpërdoret gjatë natës. Vizitat gjatë natës nënkuptojnë se vijnë persona të moshave të ndryshme dhe e shfrytëzojnë hapësirën pa pikë kulture. Këtë ambient mundemi ta shfrytëzojmë për të mirë, të ulemi në oborr, por jo të thyejmë lodrat, jo të shkatërrojmë fidanët dhe gjelbërimin”, u shpreh Biljana Çungurski, Edukatore përgjegjëse.
Sipas Ministrisë së punës dhe politikës sociale, të mbahet një fëmijë në çerdhe shtetit i kushton nga 270 deri në 300 euro në muaj. Por, ata thonë se Ministria subvencionon çerdhet publike me 80% mjeteve, kurse prindërit paguajnë nga 1.500 denarë në muaj për participim./TV21/