Në El Clasicon e së dielës, Carlo Ancelotti do të përballet me Xavi Hernandez dhe trajneri veteran italian ka mbetur i impresionuar me atë që katalanasi po bën te Barcelona, teksa ka folur rreth shumë gjerave para kësaj ndeshje.
Përpara përballjes të së dielës mes Real Madridit dhe Barcelonës, Ancelotti u pyet se si kanë ndryshuar Blaugranët nën drejtimin e trajnerit të ri.
“Identiteti i Barcelonës nuk ndryshon kurrë, pasi klubi ka një stil të qartë. Xavi përshtatet mirë me atë stil dhe skuadra është përmirësuar shumë nën drejtimin e tij”, ka thënë fillimisht Ancelotti në konferencën për shtyp.
“Ata janë një ekip i kompletuar dhe po luajnë mirë. Mendimi im është se ai po bën një punë të mirë”.
Pavarësisht vlerësimeve të tij për punën e Xavi në Barcelonë dhe pohimit të tij se Blaugranët po luajnë në stilin tipik të klubit, Ancelotti tha se nuk i pëlqen të ketë një stil të caktuar për ekipet e tij.
“Futbolli nuk ka të bëjë vetëm me një stil, sipas mendimit tim. Dua që skuadrat e mia të kenë identitete të ndryshme. Gjithmonë jam përpjekur të përdor stile ku lojtarët e mi ndihen rehat”.
“Stili i Real Madridit duhet të bazohet në karakteristikat e lojtarëve”.
Duke folur më në detaje për ndeshjen e së dielës, Ancelotti konfirmoi se Karim Benzema mungon dhe u pyet për zëvendësuesit e mundshëm.
“Ne mund ta mposhtim Barcelonën pa Benzeman. Ai është një anëtar shumë i rëndësishëm i skuadrës sonë, kështu që tani do të duhet të kërkojmë zgjidhje pasi nuk do ta kemi atë”.
“Unë kam vendosur tashmë se kush do ta zëvendësojë atë, por nuk do ta zbuloj këtë këtu. Ne kemi opsionet e Bale, Mariano dhe Jovic, ndërsa Isco ose Rodrygo kanë luajtur gjithashtu aty me raste.
“Ka shumë opsione. Unë kam zgjedhur atë që mendoj se është më i miri për këtë lojë”, përfundoi trajneri i Los Blancos. /Telegrafi/