Telegrafi

Mungesa e banderolave, flasin nga MSh: Problemi është zgjidhur javën e kaluar – po punojmë për furnizimin e depove farmaceutike

Mungesa e banderolave, ka shkaktuar probleme të shumta në barnatore duke bërë kështu që të njëjtat të kenë mungesa të shumta të barnave, gjë që ka prekur direkt edhe pacientët.

Si rrjedhojë e kësaj problematike me banderola, është krijuar mundësia që barnat e dyshimta të cilat hyjnë ilegalisht në Kosovë të shiten lirshëm.

Kujtojmë se ditë më parë Dogana e Kosovës në një aksion që ka zhvilluar në barnatore në komunën e Istogut, ka konfiskuar 282 paketime të barnave pa banderola, të cilat janë kontrabanduara në Kosovë përmes rrugëve ilegale, vlera e të cilave arrinte rreth 4 mijë euro.

Telegrafi ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të kuptuar se ku qëndron problemi dhe përse ka pasur mungesë të banderolave për një periudhë të gjatë.

Lexo po ashtu Dogana me aksion befasues në Istog, konfiskon 282 paketime të barnave pa banderola

MSh ka bërë të ditur se deri te mungesa e tyre ka ardhur si pasojë e disa procedurave në prokurim.

“Ju informojë se në zyrën e banderolave në AKPPM ka pasur mungesë të banderolave për disa ditë gjatë muajit shtator. Deri te mungesa ka ardhur si pasojë se në disa procedura prokurimi, ofertuesit që kanë aplikuar nuk i kanë plotësuar specifikat e kërkuara në bazë të mostrave te dorëzuara për vlerësim në Forenzikë-MPB”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Telegrafin.

Ministria ka shtuar se tashmë ky problem është zgjidhur dhe se janë duke punuar me kapacitete të plota që depot farmaceutike të furnizohen me banderola.

“Ky problem është zgjidhur javën e kaluar, ku AKPPM është furnizuar me banderola dhe tani po punohet me kapacitet të plotë në shtypjen dhe furnizimin e Depove Farmaceutike/Qarkulluesve farmaceutik me shumicë”, kanë deklaruar nga Ministria e Shëndetësisë. /Telegrafi/