Telegrafi

Mungesa e aparaturave pengon transplantet

Shefi i nefrologjisë në QSUT, Nestor Tereska tha se mungesa e aparaturave i ka detyruar mjekët shqiptarë t’i kryejnë ndërhyrjet e pacientëve të tyre jashtë dyerve të QSUT-së.

“…Unë personalisht nuk e quaj zgjidhje të plotë duke u bërë në spitalet private ose në Evropë. Presim blerjen e disa aparaturave me kosto të vogël. Defekte burokratike janë këto. Është përgjegjësia jonë, e të gjithëve”, sqaroi ai për Shqip.

Lista e pritjes së pacientëve dhe anomalitë që mund të shkaktohen nga mosnjoftimi i pacientëve që mund të zgjedhin një spital të huaj për të kryer ndërhyrjen, janë një tjetër shqetësim që ngrihet nga bluzat e bardha. Në këtë pikë, shefi i Nefrologjisë theksoi se nevojiten rregulla më të rrepta për përgatitjen e kësaj liste.

“Të kemi një listë pritjeje jashtëzakonisht të saktë. Çfarë ndodh? Në listën e pritjes, njëri shkon në Greqi, nuk lajmërohemi, njëri shkon në Itali, nuk lajmërohemi. Kjo na sjell një farë anomalie në listën tonë të pritjes,” tha ai.

Ndërkohë, burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë bënë të ditur se për vitin 2011 në pavijonin e Nefrologjisë në QSUT janë planifikuar 8 transplante veshkash. Ndërkohë që i pari, pavarësisht vështirësive të hasura u realizua të martën. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se gjatë vitit 2010 u realizuan 12 ndërhyrje të tilla. /Telegrafi/