Telegrafi

A mundet roboti të rikrijojë atmosferën e kryeveprës së Leonardo da Vincit?

Portrete të krijuara nga inteligjenca artificiale, në stilin e piktorëve të Rilindjes, duke përdorur softuerin Stable Diffusion

Nga: Naomi Rea / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Këtë muaj, interneti u përmbys nga portretet mahnitëse eterike të artit digjital, falë punës së aplikacionit të fundit të asistuar nga inteligjenca artificiale (AI) që u përhap në mënyrë virale: Lensa. Përdoruesit ngarkuan fotografitë e tyre në aplikacion dhe më pas – për një tarifë të vogël – e përdorën AI-në për të transformuar në një kohë të shkurtë fotografitë e tyre të profilit, të themi në një version magjik të tyre si princesha luftëtare elfine.

Ky vit ka parë një përparim të madh për krijuesit e imazheve të drejtuara nga AI-ja, të cilët tashti janë më të mirë se kurrë në cilësi, në shpejtësi dhe qasje. Modelet e inteligjencës artificiale janë “trajnuar” nga miliona pjesë të të dhënave të imazhit dhe tekstit të marra nga përmbajtjet e disponueshme publike në internet dhe, si në rastin e DALL-E të mbështetur nga Microsoft-i, mund të kthejë tekstet e shkurtra – si “Ronald McDonald duke kryer operacion në zemër të hapur” – në imazhe unike.

Çdokush tani mund të prodhojë imazhe me pamje profesionale, të përshtatura me dëshirat e tyre, pa pasur ndonjë trajnim në art apo dizajn. Nëse kjo ju tingëllon mirë, mund të mos jeni një nga miliona njerëzit jetesa e të cilëve varet nga aftësia për t’i shkëmbyer me para ato aftësi.

Ata që punojnë në industritë kreative kognitive, prej kohësh kanë ndierë se nuk kishin asgjë për t’iu frikësuar automatizimit. Në fund të fundit, si mundet një kompjuter të rikrijojë atmosferën e një kryevepre të Leonardo da Vincit, ose të zotërojë aftësitë unike të nevojshme për të krijuar një fushatë bindëse marketingu vizuale për një markë luksoze?

Imazhet e hershme të krijuara me këto mjete ishin plot me defekte që i identifikuan ato si të bëra me makineri. Por, teksa rezultatet janë bërë më bindëse, krijuesit janë bërë më të shqetësuar. Në vijën e parë të këtij debati janë punëtorët e angazhuar, si grafistët dhe ilustruesit komercialë, të cilët paguhen për artin që bazohet në specifikimet e klientit.

Kushdo që është i prirë të hedhë poshtë idenë se AI mund të marrë përsipër punët kreative, duhet ta dijë: kjo tashmë po ndodh. Këtë dimër, Baleti i San Franciskos përdori laboratorin e pavarur kërkimor “Midjourney” për të krijuar fushatën vizuale për produksionin e tyre “The Nutcracker” (megjithëse një përfaqësues i baletit tha se, pavarësisht përdorimit të AI-së, gati 30 projektues njerëzorë, prodhues dhe krijues u punësuan gjithashtu për krijimin e fushatës).

Një kërcënim tjetër për jetesën e artistëve vjen nga aftësia e këtyre mjeteve për të krijuar imazhe “në stilin” e artistëve të veçantë. Ky funksion është argëtues kur përdoret për të kujtuar vizionet e çuditshme se si Van Gogh mund ta kishte pikturuar Rishi Sunakun duke shkuar në Kryeministri me njëbrirësh, por kur bëhet fjalë për artistët e gjallë që kanë kaluar vitet duke zhvilluar stilin e tyre të veçantë, bëhet problematike aftësia e çuditshme e AI-së për të imituar – pa mirënjohje apo kompensim.

Në fillim të këtij viti, ilustruesi i artit të fantazive, Greg Rutkowski, zbuloi se emri i tij paraqiste një nga kërkesat më të njohura në platformën e AI-së, Stable Diffusion – ishte më popullor se Picasso ose Leonardo. “E vetmja gjë që të paktën mund të ndalojë ushqyerjen e algoritmit është të ndaloni postimin e punës suaj në internet, gjë që është e pamundur në industrinë tonë”, thotë Rutkowski.

Mbështetja ligjore për artistët që mendojnë se këto mjete cenojnë të drejtat e tyre të autorit, është e komplikuar dhe e paqartë. Në BE, avokatët po e kundërshtojnë të drejtën e autorësisë për krijuar modele të AI-së, por teksa Mbretëria e Bashkuar kërkon të bëhet lidere në këtë industri, ajo tashmë ka propozuar një projektligj për të lejuar përdorimin e AI-së për qëllime komerciale. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse e drejta tradicionale e autorit zbatohet edhe këtu, pasi është e vështirë të mbash të drejtat e autorit në stilin vizual.

Teksa këto çështje vetëm kohët e fundit kanë tërhequr vëmendjen kryesore, ka grupe artistësh që e parashikuan këtë kur fusha ishte ende në fillimet e saj dhe ata kanë punuar për të gjetur zgjidhje. Midis tyre janë artistët me bazë në Berlin, Mat Dryhurst dhe Holly Herndon, të cilët kanë krijuar një funksion kërkimi që çdokush mund ta përdorë për të parë nëse puna e tyre është marrë nga një grup i të dhënave prej 150 terabajtëve të quajtur LAION, që përdoret për të funksionuar me shumicën e gjeneratorëve të imazheve të AI-së. Organizata e tyre, Spawning, po zhvillon gjithashtu një mjet tjetër që do t’i lejojë artistët të japin leje sesi stili dhe ngjashmëria e tyre mund të përdoren nga algoritmet, përfshirë opsionin për të hequr tërësisht dorë.

Si Stability AI – organizata që qëndron pas Stable Diffusion – dhe LAION janë zotuar të bashkëpunojnë me Spawning për të respektuar kërkesat e pajtimit të bëra përpara zhvillimit të ardhshëm të Stable Diffusion, dhe një përditësim i fundit i mjetit hoqi aftësinë për të shkruar kërkesat që specifikojnë me emër një artist.

Ka të meta të tjera në grupin e gjerë të të dhënave të hapura mbi të cilat janë zhvilluar modelet e AI-së, të cilat kufizojnë potencialin e saj. Mangësitë në diversitetin e të dhënave, si dhe paragjykimet e mbajtura nga njerëzit që fillimisht etiketuan imazhet prej të cilave mëson, i kanë koduar padashur modelet me stereotipa dhe përfaqësime të dëmshme. Disa përdorues po zbulojnë se Lensa krijon avatare femra tepër të seksualizuara, ekzagjeron fenotipet racore në rezultatet e saj dhe ka vështirësi në leximin e veçorive të racave të përziera. Çështjet e tilla mund t’i japin frenim kujtdo që mendon të përdorë teknologjinë për qëllime komerciale – të paktën derisa të përmirësohen grupet e të dhënave të zhvillimit.

Shumë artistë mbeten të patrazuar dhe në fakt besojnë se teknologjia mund t’jua hapë mundësitë atyre për të bërë punë më të mirë, ose të paktën për të punuar në mënyrë më efikase. Megjithëse nuk e ka përdorur ende, ilustruesja që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, Michelle Thompson, sheh potencial në idenë e përdorimit të AI-së – si për të zhvilluar koncepte ashtu edhe për të përmirësuar rezultatet artistike. “E shoh atë më pak si një kërcënim dhe më shumë si një mundësi”, tha ajo, duke shtuar: “Si çdo gjë tjetër, gjithmonë do të ketë artistë që mund t’i përdorin më mirë mjetet”.

Këto mjete janë po aq të mira sa grupet e të dhënave mbi të cilat janë zhvilluar. Nga ana tjetër, imagjinata e njeriut nuk ka kufi. Për Dryhurstin, modelet e AI-së “mund të përpiqen të bëjnë një version të zbehtë të diçkaje që kemi bërë vite më parë”, por kjo “nuk merret parasysh për atë që mund të bëjmë më pas”.

Për ata që i shikojnë nga afër, rezultatet vizuale të këtyre mjeteve të AI-së po bëhen shumë të përsëritshme dhe madje edhe sytë e patrajnuar mësojnë shpejtë ta njohin dorën e makinës. Disa nga punët më interesante dhe konceptualisht më të pasura që po bëhen me AI ende vijnë nga artistët si Mario Klingemann dhe Anna Ridler, të cilët po i personalizojnë grupet e tyre të të dhënave të zhvillimit dhe po selektojnë rezultatet e makininerisë në mënyra imagjinative.

Lloji i inteligjencës artificiale që mund të imagjinojmë duke zëvendësuar artistët – një robot krijues tërësisht autonom i aftë për imagjinatë dhe shprehje si njeriu – nuk ekziston ende, por ai po vjen. Dhe, derisa AI-ja po bëhet më e pranishme, artistët, ilustruesit dhe dizajnerët përfundimisht do të veçohen jo nëse, por nga mënyra se si e përdorin teknologjinë. /Telegrafi/