Site icon Telegrafi

Mund të thyhet koalicioni i “luftës dhe ai i paqes”

Koalicionet parazgjedhore, siç po quhen ajo e “Krahut të luftës” dhe e “Krahut të paqes”, lehtësisht mund të thyhen pas zgjedhjeve të 11 qershorit, vlerësojnë analistët politikë.

Sipas tyre, gjasat janë të mëdha që vendi përsëri të ballafaqohet me krizë institucionale, shkruan, gazeta Zeri.

Koalicionet parazgjedhore të formuara mes partive politike janë jostabile dhe mund të thyhen lehtësisht pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Kështu së paku vlerësojnë analistët politikë në vend, sipas të cilëve gjasat janë shumë reale që pas zgjedhjeve vendi të futet në krizë institucionale pasi që vlerësohet se nuk do të ketë fitues absolut më 11 qershor.

Fakt i rëndësishëm se pse koalicionet janë jostabile, sipas analistëve, është se bëhet fjalë për koalicione joparimore, të cilat janë krijuar për interesa të grupeve të caktuara politike dhe pa një harmonizim të programeve partiake.

Për t’i forcuar edhe më shumë dyshimet për paqëndrueshmëri të koalicioneve merret për bazë edhe fushata jo e përbashkët që po e bëjnë partitë e koalicionit, spotet dhe sloganet e veçanta, etj.

Përndryshe, koalicion parazgjedhor kanë arritur PDK-AAK-Nisma bashkë me disa subjekte të tjera të vogla politike, të cilat kandidat për kryeministër kanë liderin e AAK-së Ramush Haradinajn.

Një koalicion të tillë e ka edhe LDK-ja me AKR-në, të cilave i është bashkangjitur edhe Alternativa e Mimoza Kusarit. Kandidat i këtij koalicioni për shef të ri të qeverisë është Avdullah Hoti. Ndërsa e vetme në këto zgjedhje garon lëvizja “Vetëvendosje”, kandidat i së cilës për kryeministër është Albin Kurti.

Exit mobile version