Site icon Telegrafi

A mund të përsëritet tërmeti i vitit 1963 në Shkup!?

Sonte në emisionin “Studio e hapur” të TVNova, rreth tërmetit të Shkupit dhe mundësive për një tërmet të serishëm dhe mënyrat për mbrojtjen nga një tërmet eventual kanë biseduar Dançe Popovska, inspektore e diplomuar e ndërtimtarisë nga komuna e Karposhit, Veronika Shundova nga Instituti për inxhinieri tektonike dhe sizmologji dhe Dragana Çernih Anastasovska, profesoreshë dhe sizmolog, transmeton Telegrafi Maqedoni.

„Një nga kërkesat themelore për ndërtim është mbrojta sizmike. Ndërtesa duhet të jetë e projektuar në atë mënyrë që gjatë punëve ndërtimore të mos vijë deri te çrregullimi i qëndrueshmërisë mekanike dhe mbrojtjes sizmike“, ka thënë Popovska, duke shtuar se me qëllim të mbrojtjes duhet të bëhet edukimi i tyre i mëtejmë dhe të dinë se cilat janë nevojat e tyre themelore.

„Sot është ndryshe gjendja e ndërtesave. Sot kemi sisteme të ndryshme konstruktive të cilat janë konstruksioni bartës i objekteve. Edhe po të ndodh një tërmet si ai i vitit 1963, nuk do të ketë dëme të tilla. Objektet atëherë janë ndërtuar pa rregulla për ndërtim sizmik, tani gjatë projektimit parashihet edhe aspekti sizmik, respektivisht ngarkesa horizontale“, ka theksuar Shundova.

Profesoresha Dragana Çernih Anastasovska thotë se sipas sizmologjisë është e njohur se aty ku ka pasur tërmet sërish do të ketë, mirëpo nuk dihet intensiteti dhe frekuenca.

Ajo ka sqaruar se tani situata është më ndryshe për shkak të qendrave sizmologjike.

„Në rast të tërmetit nevojiten vetëm disa minuta të përfundojë regjistrimi i tërmetit dhe menjëherë mund të gjendet epiqendra e tërmetit“, ka sqaruar Anastasovska./Telegrafi/

 

Exit mobile version