Koreja e Veriut ka realizuar një paradë të madhe në Phenian për të shënuar 105-vjetorin e lindjes së presidentit themelues të kombit, Kim Il-sung.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, përvjetori është i njohur si “Dita e Diellit”.
Parada e së shtunës nga mediat e huaja është parë edhe si një shfaqje e forcës ushtarake pas rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Reporteri i rrjetit televiziv BBC, John Sudworth, i cili mori pjesë në paradë, ka thënë se ai mund të ndjente dridhjen e tokës, derisa forcat ushtarake kalonin afër tij.
Mediat kanë shkruar se Koreja e Veriut ka shfaqur raketa balistike interkontinentale dhe pajisje të tjera ushtarake në këtë paradë masive dhe është zotuar se është “gati për të goditur sërish me sulme bërthamore”, kundër armiqëve. /Telegrafi/