Në fund të shekullit të 18-të, një lëvizje atëbotë inkurajoi njerëzit britanikë t’i qëndrojnë larg mallrave të prodhuar nga skllevërit. Funksionoi. Rreth 300 mijë njerëz ndaluan blerjen e sheqerit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një kauzë e ngjashme është duke u përdorur kundër kompanisë Facebook, kjo pasi fushata “Stop Hate for Profit”, pretendon se e njëjta nuk po punon sa duhet për të hequr përmbajtjet raciste dhe urrejtëse nga platforma.
Vetëm ditë më parë u raportua se një seri ndërmarrjesh të mëdha i kanë tërhequr reklamat nga Facebook, përfshirë edhe disa kompani të tjera të medieve sociale.
Ndër më të fundit janë: Ford, Adidas, dhe HP. Ndërkaq të njëjtën procedurë e patën ndjekur edhe Coca Cola, Unliver dhe Starbucks.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve Axios, kishte raportuar se Microsoft, pezulloi në muajin maj, reklamat në Facebook dhe Instagram, për shkak të shqetësimeve në lidhje me “përmbajtjen e papërshtatshme” të paspecifikuar.
Mungesa e besimit
A mund të dëmtojë ky bojkot Facebook-un? Përgjigjja e shkurtër është po – pjesa dërrmuese e të ardhurave të kompanisë vijnë nga reklamat.
David Cumming nga kompania Aviva Investors tha për BBC se humbja e besimit, dhe mungesa e një kodi moral, mund të “shkatërrojë biznesin”.
Vetëm të premten, çmimi i aksioneve në Facebook ra me 8 për qind, duke e bërë shefin ekzekutiv, Mark Zuckerberg, të paktën 7 miliardë dollarë më të varfër.
Para së gjithash, ky nuk është bojkoti i parë i një ndërmarrje të medieve sociale.
Në vitin 2017, marka të ndryshme botërore, kishin njoftuar se bojkotuan reklamat e tyre në YouTube – pasi reklamat e tyre u vendosën pranë disa videoeve me përmbajte raciste dhe homofobike.
Ai bojkot tani është harruar pothuajse plotësisht. YouTube përmirësoi mekanizmat e saj të reklamimit dhe sot po operon për mrekulli. /Telegrafi/