Telegrafi

A mund të merren vota nga komuniteti “tjetër” në Maqedoni?

Në një analizë të publikuar sot nga Qendra për  Hulumtim dhe Krijim të Politikave, më titull “Obama i Maqedonisë apo platforma e Tiranës”,  thuhet se  marrja e votës nga  komuniteti “ tjetër” është e mundur përmes një fushate me porosi joshëse.

“Përfitimi i votave nga komuniteti “tjetër”, gjegjësisht “votues maqedonas dhe shqiptarë” nga ana e kandidatëve dhe partive “shqiptare apo maqedonas” nuk është mision i pamundur. Me porosi dhe fushatë joshëse, Imer Selmani në vitin 2009 dhe LSDM në vitin 2016 arritën të fitojnë numër të konsiderueshëm të votave nga “të tjerët”, thuhet në analizën e QHKP.

Megjithatë, më tej si thuhet se Selmani nuk arriti që të njëjtin sukses ta përsërisë në zgjedhjet e mëvonshme dhe shtrohet pyetja se vallë a do të mundet LSDM-ja të ruaj 40 mijë votat e marra në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Çështja është se a do të mundë LSDM-ja t’i mbajë votat që u janë besuar nga pothuajse 40.000 shqiptarë të Maqedonisë?”, thuhet nga QHKP.

Në analizë konkludohet se shoqërisë së Maqedonisë i nevojitet reformë e sistemit politik dhe zgjedhor në drejtim të përforcimit të integrimit ndëretnik si dhe jepet rekomandim rreth veprimeve që duhen bërë për zbutjen e retorikës nacionaliste që është paraqitur pas zgjedhjeve të fundit parlamentare./Telegrafi/