Sulmuesi brazilian, Alexandre Pato ka zbuluar se ai ëndërron të kthehet në Milan dhe shton se ai me Zlatan Ibrahimovic do të krijonim një dyshe të shkëlqyeshme.
31-vjeçari ka qenë pa klub që kur u lirua nga Sao Paulo verën e kaluar dhe qendërsulmuesi, i cili kaloi gjashtë sezone me Milanin midis 2007 dhe 2013, pranoi se ai ëndërron të kthehet në San Siro.
“Unë kam kujtime të shkëlqyera, ne po flasim për 150 ndeshje, 63 gola, një Scudetto dhe një Supercoppa Italia”, ka thënë fillimisht Pato për La Gazzetta dello Sport.
“Do të ishte një ëndërr të isha në gjendje të kthehesha në Milan, i cili është në zemrën time”.
Ish-sulmuesi rossoner u pyet nëse ai do të pranonte një rol si zëvendës i Zlatanit, por ai pretendoi që të dy mund të luanin së bashku.
“Unë do të thosha po, cili është problemi?. Unë do të luaja, disa ndeshje do të ishin të mjaftueshme për të bindur trajnerin”.
“Le të themi që mbase mund të luanim së bashku. Ne do të ishim një dyshe e shkëlqyeshme”, përfundoi braziliani. /Telegrafi/