Telegrafi

Mund të kthehet bumerang, për shkak të një urdhri të Trumpit – demonstruesit në Kongres mund të dënohen deri me 10 vite burgim

Një urdhër i nënshkruar kah mesi i vitit të kaluar nga Donald Trump, sa i përket mundësisë së dëmtimit të pronës federale ku parashihet që demonstruesit të dënohen me 10 vite burgim, tani mund t’i kthehet si bumerang përkrahësve të tij.

Në fakt Donald Trump në pikun e demonstratave të lëvizjes “Black Lives Matter” në korrik të vitit të kaluar, kishte nënshkruar një urdhër që mundëson dënimin e demonstruesve që kishin dëmtuar pronën federale duke i kaluar 10 vite prapa grilave, transmeton Telegrafi.

“Kam pasur privilegjin të nënshkruar një urdhër të rëndësishëm që do të mbronte shtatoret në SHBA”, pati shkruar Trump në Twitter, pas shpërthimit të protestave në mbarë SHBA-të pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd.

“Dënime të gjata me burgim për ata që shkelin ligjet e vendit tonë të madh”, pati shkruar ndër tjera Trump.

E sot, dy ditë pas demonstratave të dhunshme në Kongresin amerikan që i kryen grupet e caktuara, hetuesit po mbledhin të dhënat për këta persona që kanë marrë pjesë në këto vandalizma.

Pasi që t’i evidentojnë personat dhe t’i arrestojnë, sipas ekspertëve të kësaj fushe, ata rrezikohen të dënohen deri në 10 vite burgim dhe atë falë urdhrit të nënshkruar pikërisht nga Donald Trump.

“Prokurorët gjatë tërë natës kanë bashkëpunuar me agjentët specialë dhe hetuesit e policisë amerikane në Capitol Hill, FBI-në e ATF-në për të mbledhur dëshmi dhe të identifikojnë kryesit e veprave penale”, ka deklaruar avokati amerikan Joseph Rossen.

E përdoruesit e rrjeteve sociale pasi e kanë kuptuar se si mund të dënohen protestuesit për shkak të urdhrit të Trumpit, kanë filluar të bëjnë pëlqime. Gjithashtu kanë kujtuar statuset e Trumpit gjatë periudhës së nënshkrimit të këtij vendimi.

Producenti i televizionit Kyle Griffin, ka publikuar postimet në Twitter të Trumpit nga periudha korrik 2020 dhe ka shkruar:

“Kujtojmë, më 27 korrik, Trump deklaroi se demonstruesit që kanë dëmtuar institucionet shtetërore duhet të dënohen me 10 vite burgim”. /Telegrafi/