Cengiz Under sipas të gjitha gjasave është duke kaluar vitin e tij të fundit te Roma.
Sulmuesi i talentuar turk është futur në vitin e tij të fundit te Roma dhe ka shkëlqyer me paraqitjet e tij.
Në tetë ndeshjet e para me Romën këtë edicion, Under ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar katër asistime.
Ka qenë presidenti i klubit turk Altinordu (ku ka luajtur më parë Cengiz), Seyit Mehmet Ozkan që ka thënë se turku do t’i bashkohet Bayernit të Munichut.
“Bayerni është duke e përcjellë nga afër që një kohë Cengizin”, tha Ozkan për Corriere Dello Sport.
“Mendoj se në verën e vitit të ardhshëm Under do t’i bashkohet Bayernit për shumë para, duke thyer rekordin e Bundesligas”, u shpreh Ozkan.
Kjo do të thotë se Under mund t’i bashkohet Bayernit për një shumë më të lartë se 50 milionë euro.
Rekordin deri më tani si transferimi më i shtrenjtë në Bundesliga është ai i Correntin Tolissos që iu bashkua Bayernit për 41,5 milionë euro nga Olympique Lyon.
Por për ta transferuar Underin, Bayerni duhet ta mposhtë konkurrencën e skuadrave tjera si Chelsea, Arsenal e Borussia Dortmund.
21-vjeçari ka kontratë me Romën deri në verën e vitit 2022, por klubi italian po diskuton vazhdimin e saj edhe për dy vite të tjera. /Telegrafi/