Gratë shtatzëna mund të drejtojnë makinën për sa kohë shtatzënia ka ecuri të mirë dhe përqendrimi të jetë i plotë.
Në tremujorin e parë të shtatzënisë, kur të përzierat, të vjellat, lodhja e përgjumja janë simptoma që hasen shpesh, është mirë që të reduktohet drejtimi i makinës, sidomos në distanca të gjata.
Gjithashtu, në javët e fundit të shtatzënisë është mirë të shmanget drejtimi i automjetit për shkak të vështirësisë në lëvizje.
Distancat dhe kohëzgjatja e drejtimit të automjetit nuk duhet të kalojnë dy-tre orë dhe pas kësaj preferohet që të pushohet minimum dy-tre orë. Por edhe gjatë drejtimit të mjetit janë të këshillueshme pushime të shpeshta për të lëvizur. Disa hapa përreth makinës, si edhe ushtrime të lehta janë rekomandim i rëndësishëm për gratë shtatzëna në udhëtime të gjata.
Kjo është e vlefshme edhe në rastet ku shofer është dikush tjetër. Qarkullimi i gjakut në gjymtyrët e poshtme vështirësohet gjatë qëndrimit në ulësen e makinës, prandaj dy-tre hapa përreth makinës kanë realisht shumë përfitime.
Për sa i përket rripit të sigurimit është gjithmonë e nevojshme të vendoset, pa marrë parasysh nëse qarkullimi është nëpër qytet apo udhëtim për rrugë më të gjatë. Patjetër vendoset rripi i sigurimit gjatë qëndrimit në makinë të gruas shtatzënë si në ulësen e shoferit, edhe në statusin e pasagjerit.
Nuk është e vërtetë që rripi i sigurimit e rrezikon fëmijën në bark. Në fakt një problem shumë i rëndësishëm në aksidente automobilistike është përplasja e barkut me timonin ose pjesën e përparme të makinës për shkak të inercisë.