Site icon Telegrafi

Mumini, gjyqtari që sulmohet më shumë

Mumini së fundi është sulmuar të dielën në Vushtrri, në ndeshjen ndërmjet Trepçës dhe Golden Eagle Yllit, për çka u ndërpre loja dy minuta para se të përfundojë.

Kësaj here Mumini nuk është sulmuar nga zyrtarët e as nga basketbollistët si herëve të shkuara, por nga trajneri i Yllit, Agron Berisha. Gjatë sulmit ndaj Muminit, u futën në parket edhe disa tifozë të Yllit me synim për ta sulmuar atë. Ndeshja ndërmjet Trepçës dhe Yllit ishte derbi i javës së 17-të të Superligës dhe ishte me peshë të madhe për hyrje në plejof. Këto dy skuadra po luftojnë për pozitën e katërt në tabelë, shkruan sot Koha Ditore.

Gjithçka ndodhi në një moment kur banka e Yllit u ndëshkua me gabim teknik. Dhe, derisa njëri prej lojtarëve të Trepçës po bëhej gati për ekzekutim të gjuajtjeve të lira, trajneri Berisha i foli diçka Muminit që ishte pranë tij dhe ky i fundit menjëherë e ndëshkoi me diskualifikim. Këtu, Berisha nisi ta ndjek Muminin për të rrahur. Pas disa metrave ndjekje e zuri atë, por pas intervenimit të basketbollistëve të dyja palëve dhe policisë, Mumini u largua nga duart e trajnerit Berisha.

Trajneri i skuadrës therandase, Berisha është shoqëruar në polici ku ka dhënë deklaratë. Në stacionin e Policisë në Vushtrri janë shoqëruar edhe disa shikues.

Klubi nga Suhareka është distancuar nga ky gjest dhe ka dënuar incidentin.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Mumini është sulmuar. Mumini më herët është sulmuar edhe nga ish-basketbollisti Valdet Grapci, kryetari i klubit Kosova nga Vushtrria, Sabri Parduzi, dhe nga basketbollisti i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha. Ky i fundit e kishte pështyrë sezonin e shkuar pas dhënies së gabimit teknik. 

Exit mobile version