Bayer Munich e ka fituar Ligën e Kampionëve këtë edicion për herë të gjashtë në histori, por ajo që mbetet në mendjen e tifozëve do të jetë gjithmonë fitorja e bujshme 8-2 ndaj Barcelonës në çerekfinale.
Kjo humbje ka prishur atmosferën te Barcelona, ku Lionel Messi ka kërkuar largimin nga skuadra dhe çështja është ende pezull.
Mesfushori gjerman, Thomas Muller, në një intervistë të dhënë për mediat bavareze, ka treguar se e kishte ndjerë suksesin para ndeshjes, kur i kishte futbollistët e Barcelonës shumë të qetë.
“Ata dolën në nxehje 10 minuta pas nesh dhe ishin shumë të qetë. Ndoshta nuk ishte ky faktori që ndikoi në rezultat, por është një tregues i qartë i dëshirës që ne kishim për të bërë mirë atë mbrëmje”.
“Më pas për pjesën tjetër kishte menduar trajneri ynë Hansi Flick, që kishte studiuar ndeshjen në perfeksion”, ka thënë Muller.
Pikërisht gjermani shënoi dy herë atë mbrëmje. /Telegrafi/