Bayern Munich ka triumfuar ndaj Paris Saint Germain edhe në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.
Pas fitores në Parc de Princes 0-1, bavarezët triumfuan edhe në Allianz Arena me rezultat të pastër 2-0 dhe kaluan në çerekfinale.
Thomas Muller pas ndeshjes ka folur, duke thumbuar Messin për eliminimin që i shkaktuan nga Liga e Kampionëve.
Ylli gjerman tha se duelet ndaj Messit në nivel klubesh nuk kanë qenë asnjëherë problem për dallim me duelet që kishin me CR7 sa ishte portugezi te Real Madridi.
“Kundër Messit, gjërat gjithmonë shkojnë mirë në të gjitha nivelet për sa i përket rezultateve. Në nivel klubesh, Cristiano Ronaldo ishte problemi ynë kur ishte në Real Madrid”, tha Muller duke qeshur pas ndeshjes.
Muller bëri shaka, pasi ai e respekton Messin derisa ka folur për triumfin e tij me Argjentinën në Kupën e Botës në Katar të vitit të kaluar.
“Por kam respektin më të madh për paraqitjen e Messit në Kupën e Botës. Paraqitja individuale e Messit në Kupën e Botës ishte e mahnitshme. Ai mbajti të gjithë skuadrën”, tha Muller.
“Nuk është aq e lehtë të luash në një ekip si PSG. Është e vështirë për të arritur një ekuilibër vërtet të mirë ekipor”, u shpreh Muller. /Telegrafi/