Telegrafi

Mulaomerovic largohet nga Përfaqësuesja e Kosovës, FBK e falënderon për kontributin

Damir Mulaomerovic edhe zyrtarisht është larguar nga posti i trajnerit të Përfaqësueses së Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga vet Federata e Basketbollit të Kosovës, që nëpërmjet faqes zyrtare ka njoftuar se trajneri është larguar pas përfundimit të kontratës.

FBK e ka falënderuar trajnerin Mulaomerovic për kontributin e dhënë gjatë vitit të kaluar si pjesë e Kosovës.

Njoftimi i plotë nga FBK:

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e falënderon trajnerin Damir Mulaomerovic, i cili prej gushtit të vitit të kaluar dhe deri në gusht të këtij viti ka qenë në krye të Përfaqësueses A të Kosovës.

FBK dhe Mulaomerovic patën nënshkruar kontratë njëvjeçare dhe e njëjta është respektuar nga të dyja palët.

Mulaomerovic e pati nisur punën me Përfaqësuesen e Kosovës që nga data 29 gusht 2018, kur edhe i pati filluar përgatitjet për raundin e dytë të parakualifikumeve për Eurobasket 2021.

Në raundin e dytë të këtyre parakualifikimeve Kosova pati qenë në Grupin B së bashku me Maqedoninë Veriore dhe Rumaninë.

Kosova në këtë grup ka përfunduar e treta, pa asnjë fitore të shënuar, derisa Maqedonia Veriore e pati siguruar një vend për në kualifikime për Eurobasket 2021, kurse Rumania dhe Kosova e fituan edhe një shans për të luftuar për një vend në këto kualifikime.

Kosova në raundin e tretë garoi në Grupin G së bashku me Britaninë e Madhe dhe Luksemburgun, derisa në këtë raund e realizoi vetëm një fitore, dhe atë në shtëpi kundër Luksemburgut, kurse ishte Britania e Madhe ajo që e siguroi një vend në kualifikime për Eurobasket 2021.

Federata e Basketbollit të Kosovës në muajin e ardhshëm pritet të filloj bisedimet me trajnerët potencial për të marr drejtimin e përzgjedhësit të Kosovës, derisa kundërshtarët e rinj në garat e radhës të FIBA-s, FBK pritet ti kuptoj së shpejti. /Telegrafi/