Telegrafi

Mulaj: Naftëtarët s’po fiskalizohen për t’i ikur tatimit, Berjani: Mos ia fut kot ministër (Video)

Sonte u zhvillua një debat i ashpër mes përfaqësuesve të naftëtarëve dhe ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj.

 

Ish-ministri Mulaj akuzoi naftëtarët duke thënë se ata vet po e shkatërrojnë tregun dhe se 150 raste i kanë dërguar në gjykatë për shkak të mungesës së sasisë dhe cilësisë.

 

Por, Fadil Berjani, Kryetar i shoqatës së naftëtarëve, ka thënë se naftëtarët do të fiskalizohen dhe gjërat po ecin mirë.

 

Mirëpo, ish-ministri Mulaj ka thënë se naftëtarët “nuk po fiskalizohen sepse duhet t’i ikin tatimit”.

Berjani iu kundërpërgjigj ish-ministrit duke i thënë se “veç po ja futë kot”.

 

“Ne nuk po i ikim tatimit”, u shpreh Berjani.

 

Gazetari i “Kohës Ditore”, Visar Prebreza tha se nuk është e vërtetë se në Kosovë ka kurdisje të çmimeve, ndërsa theksoi se nafta në vendin tonë është jocilësore, vidhet dhe litri nuk është litër, raporton Koha.net.

“Pra, ky treg është totalisht i pakontrolluar dhe shteti asgjë nuk ka bërë për ta rregulluar këtë treg”, tha Prebreza.

 

Mirëpo, Fadil Berjani, Kryetar i shoqatës së naftëtarëve, mohoi të ketë kurdisje të çmimeve të naftës.

 

Jakup Gashi, pronar i laboratorit “Sierra Lab”, i ftuar në emision, tha se testet laboratorike kanë treguar se sasia dhe cilësia nuk janë konform ligjit. Me këtë rast, ai akuzoi Berjanin duke i thënë se “ju e keni lejuar të shitet në treg dhe e keni shkelë ligjin”.

 

“Nafta në Kosovë është e cilësisë së dobët”, shtoi Gashi.

 

Mulaj tregoi rastin kur nga e njëjta kompani kanë marrë naftën dhe e kanë dërguar në dy laboratorë, dhe, “mere me mend, në njërin del rezultati ndryshe në tjetrin ndryshe”.

 

“Ti e ke lëndën në gjykatë, e din mirë ti Jakup, për laboratorin tënd”, i tha ish-ministri Mulaj, Gashit.

 

Më tej, Berjani foli për skandalet që kanë ndodhur në ministrinë e Mulaj e drejtoi një kohë.

 

“Skandali i çimentos, skandali i lodrave të fëmijëve, skandali i trupave inspektues, skandali i naftës”, tha Berjani.

 

Por, të gjitha këto akuza ish-ministri Mulaj, i cili kishte zëvendësuar Mimoza Kusari – Lilën në këtë post pasi ajo mori pushtetin në Gjakovë, i ka mohuar tërë këto akuza, ndërsa e ka lavdëruar Kusari – Lilën për të cilën tha se “është ministrja më e mirë që ka pasur qeveria e kaluar”. /koha/